Politike

Takimi me Berishën, Kovatchev: Do të ndjek nga afër zhvillimet në Shqipëri dhe përmbushjen e standardeve për integrim

Gjatë takimit, Berisha e informoi Kovatchev mbi përkeqësimin dramatik të gjendjes demokratike në Shqipëri, sidomos në kontekstin e zgjedhjeve parlamentare të 11 majit 2025.

5 Qershor 2025, 13:00 Nga DOSJA
Takimi me Berishën, Kovatchev: Do të ndjek nga afër zhvillimet
Takimi

BRUKSEL- Në kuadër të vizitës zyrtare në Parlamentin Europian, delegacioni i Partisë Demokratike të Shqipërisë, i kryesuar nga Sali Berisha, zhvilloi një takim të rëndësishëm me eurodeputetin Andrey Kovatchev, përfaqësues i Partisë Popullore Europiane (EPP) dhe anëtar i Parlamentit Europian nga Bullgaria.

Gjatë takimit, Berisha e informoi Kovatchev mbi përkeqësimin dramatik të gjendjes demokratike në Shqipëri, sidomos në kontekstin e zgjedhjeve parlamentare të 11 majit 2025. Ai denoncoi represionin politik të ushtruar nga qeveria ndaj opozitës në të vetmin narko-shtet që ekziston sot në kontinentin europian, tre liderët e partive më të mëdha opozitare janë ndeshur me arrestime e burgosje politike, etj.

Eurodeputeti Andrey Kovatchev shprehu shqetësimin e tij për zhvillimet në Shqipëri. Ai theksoi se disa nga këto problematika janë tashmë të reflektuara në raportin e fundit të Parlamentit Europian për Shqipërinë, i diskutuar dhe votuar sot në Komisionin e Punëve të Jashtme (AFET).

Kovatchev garantoi se, në emër të Grupit të Partisë Popullore Europiane (EPP), do të ndjekë nga afër zhvillimet në Shqipëri dhe procesin pasues të vlerësimit nga misionet ndërkombëtare të vëzhgimit. Ai shprehu gjithashtu mbështetjen e plotë për aspiratën europiane të Shqipërisë, e cila sipas tij mund të realizohet vetëm përmes respektimit të demokracisë, të drejtës së votës së lirë dhe ndarjes së pushteteve.

berisha kovatchev

Sondazh

Poll