Bota

Hodhën bojë jeshile në muret e Muzeut të Holokaustit në Paris, arrestohen tre serbë në Francë

Ngjarjet kanë ndodhur gjatë fundjavës, në orët e para të mëngjesit të së shtunës, kur u regjistruan incidentet e dyshuara të vandalizmit.

4 Qershor 2025, 09:53 Nga N.F
Hodhën bojë jeshile në muret e Muzeut të Holokaustit në
Foto

FRANCË- Tre serbë janë vënë në pranga nga autoritetet në Francë për vandalizimin e objekteve hebraike dhe Muzeut të Holokaustit në Paris. Autoritetet franceze kanë arrestuar tre shtetas të Serbisë nën akuzën për vandalizim të disa objekteve me rëndësi historike dhe fetare në kryeqytetin francez.

Sipas një raportimi të publikuar personat e dyshuar akuzohen se kanë spërkatur me bojë të gjelbër Muzeun e Holokaustit, tre sinagoga dhe një restorant në Paris. Ngjarjet kanë ndodhur gjatë fundjavës, në orët e para të mëngjesit të së shtunës, kur u regjistruan incidentet e dyshuara të vandalizmit.

Të tre të dyshuarit u arrestuan më 2 qershor në qytetin Zuan-le-Pen, një vend turistik në jug të Francës, në rajonin e Alpeve Detare. Arrestimi erdhi pas një hetimi intensiv nga policia franceze, që përfshiu analizën e bisedave telefonike, si dhe shqyrtimin e pamjeve të marra nga kamerat e sigurisë në zonat ku ndodhën sulmet.

Në pamjet filmike të sigurisë, autoritetet identifikuan një person të veshur me të zeza që spërkaste murin e një ndërtese me bojë të gjelbër, ndërsa dy burra të tjerë shoqëronin aktin – njëri prej tyre duke regjistruar me telefon. Policia po heton gjithashtu nëse ngjarjet kanë ndonjë lidhje me qëndrime ideologjike apo urrejtje të drejtuar kundër komunitetit hebre.

Ngjarja ka shkaktuar një reagim të ashpër në opinionin publik dhe është dënuar fort nga autoritetet franceze. Ministri i Brendshëm, Bruno Retailleau, e cilësoi veprimin si një akt të neveritshëm të urrejtjes dhe theksoi se institucionet franceze janë të vendosura të luftojnë çdo formë antisemitizmi dhe ekstremizmi.

france arrestohen tre serbe ne france

Sondazh

Poll