Bota

Reuters: Irani do ta refuzojë propozimin e SHBA-së për programin e tij bërthamor

Propozimi i SHBA-së për një marrëveshje të re bërthamore iu paraqit Iranit të shtunën nga Ministri i Jashtëm i Omanit, Sayyid Badr Albusaidi, i cili bëri një vizitë të shkurtër në Teheran dhe po ndërmjetëson bisedimet midis Teheranit dhe Uashingtonit.

2 Qershor 2025, 15:30 Nga E. D
Reuters: Irani do ta refuzojë propozimin e SHBA-së për programin
foto ilustruese

IRAN- Një diplomat iranian ka delaruar se Irani do të refuzojë një propozim të SHBA-së për t'i dhënë fund një mosmarrëveshjeje të gjatë mbi programin bërthamor të Teheranit. Ai ka argumentuar se kjo nuk ka shanse për sukses, nuk i shërben interesave të Teheranit, ndërsa qëndrimi i Uashingtonit mbi pasurimin e uraniumit mbetet i pandryshuar.

“Irani po harton një përgjigje negative ndaj propozimit të SHBA-së, e cila mund të interpretohet si një refuzim i propozimit”, tha për Reuters një diplomat i lartë pranë ekipit negociator të Iranit.

Propozimi i SHBA-së për një marrëveshje të re bërthamore iu paraqit Iranit të shtunën nga Ministri i Jashtëm i Omanit, Sayyid Badr Albusaidi, i cili bëri një vizitë të shkurtër në Teheran dhe po ndërmjetëson bisedimet midis Teheranit dhe Uashingtonit.

Por, pas pesë raundeve bisedimesh midis Ministrit të Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, dhe të dërguarit të posaçëm të Presidentit Donald Trump, Steve Witkoff , për të zgjidhur ngërçin bërthamor, shumë çështje mbeten të hapura.

Midis vijave të kuqe kontradiktore është refuzimi nga Irani i një kërkese të SHBA-së që Teherani të angazhohet për të hequr dorë nga pasurimi i uraniumit, i parë si një rrugë e mundshme për zhvillimin e bombave bërthamore. Teherani thotë se dëshiron të përsosë teknologjinë bërthamore për qëllime paqësore dhe ka mohuar prej kohësh akuzat e fuqive perëndimore se kërkon të pajiset me armë bërthamore.

“Në këtë propozim, qëndrimi i SHBA-së për pasurimin në tokën iraniane mbetet i pandryshuar dhe nuk ka një shpjegim të qartë në lidhje me heqjen e sanksioneve”, tha diplomati, i cili kërkoi të mos identifikohej.

Teherani kërkon heqjen e menjëhershme të të gjitha kufizimeve të vendosura nga SHBA-të që po e pengojnë ekonominë e saj të varur nga nafta. Por për SHBA-në, heqja e sanksioneve të lidhura me programin bërthamor të Iranit duhet të bëhet në faza. Dhjetëra institucione iraniane kritike për ekonominë e Iranit, përfshirë bankën qendrore dhe kompaninë kombëtare të naftës, janë përballur me sanksione që nga viti 2018, për shkak të "mbështetjes për terrorizmin ose përhapjen bërthamore" sipas Uashingtonit.

Ringjallja e fushatës së presionit maksimal ndaj Teheranit nga Trump që nga kthimi i tij në Shtëpinë e Bardhë në janar përfshin sanksione më të ashpra dhe kërcënime për të bombarduar Iranin nëse negociatat aktuale dështojnë të arrijnë një marrëveshje.

Gjatë mandatit të tij të parë, Trump tërhoqi SHBA-në nga marrëveshja e vitit 2015 midis Teheranit dhe gjashtë fuqive të mëdha dhe rivendosi sanksionet. Në përgjigje, Teherani shkeli shpejt kufizimet në programin e tij bërthamor të vendosura nga marrëveshja e vitit 2015.

Marrëveshja e vitit 2015 kërkonte që Irani të ndërmerrte hapa për të frenuar programin e tij bërthamor në këmbim të lehtësimit nga sanksionet e SHBA-së, BE-së dhe OKB-së. Diplomati deklaroi se "komiteti iranian për negociatat bërthamore" nën mbikëqyrjen e Udhëheqësit Suprem Ajatollah Ali Khamenei, beson se propozimi i SHBA-së është "plotësisht i njëanshëm" dhe nuk mund t'i shërbejë interesave të Teheranit.

Prandaj, tha diplomati, Teherani e konsideron propozimin si të pashmangë për sukses dhe beson se me të SHBA-të po përpiqen në mënyrë të njëanshme t'i imponojnë Iranit një "marrëveshje të keqe" përmes kërkesave të tepërta. Dy zyrtarë iranianë i thanë Reuters javën e kaluar se Irani mund të ndalojë pasurimin e uraniumit nëse Shtetet e Bashkuara lirojnë fondet iraniane dhe njohin të drejtën e Teheranit për të pasuruar uranium për përdorim civil sipas një "marrëveshjeje politike" që mund të çojë në një marrëveshje më të gjerë bërthamore./REUTERS

shba iran

Sondazh

Poll