Sport

Një tifoz e priti Interin në Malpensa: "Jam i vetmi idiot këtu!"... Nuk e ngriti kokën kush

Kthimi i zikaltërve në Milano ishte i vështirë pas humbjes së tyre poshtëruese ndaj PSG-së në finalen e Ligës së Kampionëve të shtunën.

1 Qershor 2025, 18:56 Nga DOSJA
Një tifoz e priti Interin në Malpensa: "Jam i vetmi idiot

ITALI - Interi ka pasur një rikthim të vështirë në Milano, pasi humbi finalen e Ligës së Kampionëve 5-0 ndaj PSG-së  në Mynih të shtunën. Heshtja absolute mbretëroi rreth mesditës së sotme, ndërsa ekspedita zikaltër mbërriti në aeroportin e Malpensas. 

Sipas La Gazzetta dello Sport, një tifoz i vetmuar iu afrua terminalit për të përshëndetur lojtarët e Interit. “Unë jam i vetmi idiot këtu, por ata prapëseprapë e meritojnë një duartrokitje”, tha i dëshpëruar Marco, tifozi në fjalë.

Nga një ëndërr në një makth të tmerrshëm…

Një skenë e shkretë që pasqyron realitetin e hidhur të një skuadre që kaloi nga ëndrra për t'u kurorëzuar kampione e Evropës për herë të katërt në historinë e saj në makthin përfundimtar, si rezultat i shkatërrimit të plotë që pësuan në duart e PSG-së në fushën e Allianz Arenës.

Zemërimi, zhgënjimi dhe frustrimi ishin të prekshëm në sytë e çdo anëtari të skuadrës së Interit, nga trajneri Simone Inzaghi dhe ndihmësi i tij Massimilano Farris, te Lautaro Martínez, Hakan Calhanoglu dhe Francesco Acerbi. 

I pari që doli nga terminali ishte Stefan de Vrij, i ndjekur pa ndalur nga pjesa tjetër e kolegëve të tij. I fundit është Acerbi. Disa hapa shumë të rendë midis daljes së terminalit dhe hyrjes së autobusit. Asnjë fjalë: askush nuk foli, askush nuk ngriti kokën, të gjithë e mbanin shikimin ulur. 

E vetmja përkulje koke erdhi nga Acerbi në momentin e fundit para se të hipte në autobus. Marcus Thuram, i thirrur nga pak tifozë që, ndërsa minutat kalonin, iu bashkuan të vetmit të pranishëm deri atëherë, as nuk e ngriti dorën. 

Dhe Inzaghi bëri të njëjtën gjë: drejt, me shikimin ulur dhe asgjë më shumë. Kush e di, ndoshta këto ishin hapat e tij të fundit si trajner i Interit. 

Ndërkohë, tifozët kanë mbetur të habitur dhe në kërkim të përgjigjeve, pasi ambiciet e klubit për tripletë u shuan në pak më shumë se një muaj, duke kulmuar me një disfatë poshtëruese në finalen e Ligës së Kampionëve.

B.T (Dosja.al)

Sondazh

Poll