Bota

Trump njoftoi rritje prej 50% të tarifave të çelikut dhe aluminit, BE: Ky vendim shton pasiguri në ekonominë globale, jemi gati për kundërmasa

Presidenti amerikan tha se dyfishimi i taksave mbi çelikun e importuar do të forconte më tej industrinë e çelikut në Shtetet e Bashkuara.

31 Maj 2025, 15:38 Nga r.ll
Trump njoftoi rritje prej 50% të tarifave të çelikut dhe
donald trump

SHBA- Presidenti amerikan, Donald Trump njoftoi gjatë një tubimi në një uzinë çeliku, se do të dyfishojë tarifat për importet e çelikut dhe aluminit.

Masa, e cila do ta godiste rëndë Evropën, supozohet të hyjë në fuqi më 4 qershor. Në një reagim ndaj këtij veprimi, një zëdhënës i Komisionit Evropian tha në një deklaratë me email: “Na vjen shumë keq për rritjen e njoftuar të tarifave të SHBA-së për importet e çelikut nga 25% në 50%. Ky vendim shton më tej pasiguri në ekonominë globale dhe rrit kostot për konsumatorët dhe bizneset në të dyja anët e Atlantikut.”

Duke iu referuar gjithashtu bisedimeve të vazhdueshme transatlantike tregtare, zëdhënësi tha se "rritja e tarifave dëmton gjithashtu përpjekjet e vazhdueshme për të arritur një zgjidhje të negociuar" dhe deklaroi se "BE është e përgatitur të vendosë kundërmasa, duke përfshirë edhe përgjigjen ndaj rritjes së fundit të tarifave të SHBA-së", nëse është e nevojshme.

Presidenti amerikan tha se dyfishimi i taksave mbi çelikun e importuar do të forconte më tej industrinë e çelikut në Shtetet e Bashkuara.  Në një postim, të publikuar më vonë në platformën e tij Truth Social, presidenti amerikan shtoi se detyrimet për aluminin do të rriten gjithashtu nga 25% në 50%. Trump tha se të dyja rritjet do të hyjnë në fuqi të mërkurën, më 4 qershor.

Njoftimi vjen pas ditëve konfuze gjatë të cilave gjyqësori dha vendime të kundërta mbi politikën doganore të Trump, duke e bllokuar fillimisht atë me një vendim nga Gjykata e Tregtisë Ndërkombëtare e SHBA-së dhe më në fund duke i dhënë përsëri dritën jeshile, në pritje të një vendimi të ri nga një gjykatë federale e apelit.

donald trump be tarifa per celikun dhe aluminin

Sondazh

Poll