Aktualitet

Ndryshime dhe transferime në policinë e Tiranës, lëvizjet prekin sektorin e krimeve, rrugoren dhe trafikun urban

Ende nuk dihen arsyet e ndryshimeve dhe transferimeve në policinë e kryeqytetit.

29 Maj 2025, 15:41 Nga r.ll
Ndryshime dhe transferime në policinë e Tiranës, lëvizjet
foto ilustruese

TIRANË- Një sërë ndryshimësh dhe transferimesh janë bërë në policinë e Tiranës. Sipas raportimeve janë ndryshuar disa shefa krimesh, por jo vetëm.

Shefi i krimeve i komisariatit nr.5 ka shkuar në komisariatin e Vorës, ndërsa shefi i krimeve të Vorës ka kaluar te komisariati nr.5. Shefi i krimeve në komisariatin nr.1 është transferuar te komisariati i policisë rrugore të Tiranës, konkretisht te sektori i aksidenteve.

Edhe policia rrugore e kryeqytetit nuk ju ka shpëtuar ndryshimeve, ku rreth 20 efektivë të linjave dhe trafikut janë transferuar, po ashtu edhe 4 komandantë te trafikut dhe linjave, mes tyre edhe shefi i trafikut urban në Tiranë, Jetnor Shira, ku në vend të tij është emëruar Megian Ademaj.

Në policinë rrugore të Tiranës janë transferuar edhe disa oficerë të policisë gjyqësore (OPGJ). Ende nuk dihen arsyet e ndryshimeve dhe transferimeve në policinë e kryeqytetit. Ndërkohë vetëm pak muaj më parë, pati një reformatim të Policisë,ku u zgjodhën 12 drejtuesit e rinj të policisë në qarqe dhe 48 shefat e komisariateve.

policia e tiranes

Sondazh

Poll