Bota

Përpjekjet për një armëpushim të ri në Gaza po "fundosen"/ Hamasi: Witkoff pranoi amendamentet tona dhe më pas u tërhoq

Zyrtari, duke folur për gazetën Times of Israel , pohoi se Witkoff e kishte informuar udhëheqjen e Hamasit nëpërmjet ndërmjetësve se ai pranonte modifikimet që organizata palestineze kishte bërë në planin e armëpushimit që kishte paraqitur.

26 Maj 2025, 18:21 Nga M.L
Përpjekjet për një armëpushim të ri në Gaza po
Foto ilustruese

GAZA- Tensionet po rriten në bisedimet prapa skenave për armëpushim midis Izraelit dhe Hamasit në Rripin e Gazës, pas akuzave nga një zyrtar palestinez se i dërguari special i SHBA-së, Steve Witkoff, ishte tërhequr nga marrëveshja e tij e mëparshme për ndryshimet në propozimin e tij për një armëpushim të përkohshëm.

Zyrtari, duke folur për gazetën Times of Israel , pohoi se Witkoff e kishte informuar udhëheqjen e Hamasit nëpërmjet ndërmjetësve se ai pranonte modifikimet që organizata palestineze kishte bërë në planin e armëpushimit që kishte paraqitur. Kjo, sipas të njëjtit burim, çoi në një seri publikimesh më herët gjatë ditës, sipas të cilave Hamasi e kishte pranuar propozimin amerikan.

Megjithatë, thuhet se Witkoff ndryshoi qëndrimin e tij, duke i informuar ndërmjetësuesit se kushtet e Hamasit nuk ishin të pranueshme.

Mohim kategorik nga Witkoff

Steve Witkoff i mohoi kategorikisht akuzat e zyrtarit palestinez, duke i deklaruar të njëjtës gazetë se ai kurrë nuk i pranoi ndryshimet e Hamasit. Ai madje iu referua një deklarate të mëparshme që bëri për rrjetin e lajmeve Axios , në të cilën theksoi se pretendimet e Hamasit se e kishte pranuar propozimin për armëpushim ishin të pabaza.

"Ajo që pashë nga Hamasi është zhgënjyese dhe plotësisht e papranueshme. Izraeli do të bjerë dakord për një armëpushim të përkohshëm dhe një marrëveshje për lirimin e pengjeve, e cila do të përfshijë kthimin e gjysmës së të gjallëve dhe gjysmës së të vdekurve, dhe do të hapë rrugën për një diskutim kuptimplotë që synon një armëpushim të përhershëm. Ky propozim është ende në tavolinë. Hamasi duhet ta pranojë atë", tha Witkoff.

Bllokim në negociata

Sipas një burimi izraelit që foli për gazetën Haaretz, negociatat mbeten në një bllokim pasi "të dyja palët janë përforcuar në qëndrimet e tyre". Hamasi, siç raporton burimi, këmbëngul në garanci se armëpushimi i përkohshëm do të çojë në një fund përfundimtar të luftës. Nga ana e tij, Izraeli kërkon çarmatimin e plotë të organizatës, dëbimin e udhëheqësve të saj dhe përjashtimin e saj nga çdo pjesëmarrje në administrimin e ardhshëm të Rripit të Gazës.

Trilleri diplomatik vazhdon, ndërsa presioni ndërkombëtar rritet për një marrëveshje që do të lejonte lirimin e pengjeve, hyrjen e ndihmës humanitare dhe uljen e përshkallëzimit të konfliktit që ka vazhduar prej muajsh.

izrael gaza steve witkoff

Sondazh

Poll