Aktualitet

Ish-kreu i inteligjencës në Ekuador: Maduro mashtron për mafian shqiptare, do të frikësojë popullin dhe të ruajë pushtetin përmes propagandës

Ish-shefi i inteligjencës ekuadoriane nënvizoi se e ashtuquajtura “mafia shqiptare” nuk ka kapacitete për të organizuar sulme terroriste kundër një shteti.

22 Maj 2025, 14:59 Nga r.ll
Ish-kreu i inteligjencës në Ekuador: Maduro mashtron për mafian
mario pazmino

TIRANË- Ish-drejtori i shërbimit të inteligjencës së Ekuadorit, Mario Pazmino ka komentuar deklaratat e fundit të presidentit të Venezuelës, Nicolas Maduro. Ky i fundit pretendoi se “mafia shqiptare” po organizon sulme terroriste në Venezuelë për llogari të qeverisë ekuadoriane.

I ftuar këtë të enjte në Euronews Albania, në një intervistë për gazetarin Thimi Samarxhiu, Pazmino i cilësoi deklaratat e Maduros si të pavërteta dhe të fabrikuara me qëllim për të frikësuar popullin venezuelian dhe për të ruajtur pushtetin e tij përmes propagandës.

“Ky lloj diskursi nuk është i pari, por vjen prej kohësh. Në Amerikën Latine dhe në Ekuador ne e njohim këtë diktator Nicolás Maduro si një thashethemaxhi. Ai shumë herë flet në të njëjtin format, thotë gjëra të tilla me qëllim që të viktimizohet dhe të realizojë veprime kundër frikës popullore. Ajo që thotë ky zotëri është se do të kryhen akte terrorizmi, thotë se janë kapur 38 mercenarë të mafias shqiptare, por nuk paraqet asnjë provë për kapjen e tyre, nuk përmend as proceset në të cilat janë përfshirë. Unë mendoj se është një lëvizje e keqpërpunuar, do të thoja. E vetmja gjë që kërkon të thotë është të frikësojë popullatën e vet për të justifikuar çdo veprim të drejtpërdrejtë kundër opozitës dhe disa ambasadave të ndryshme që kanë një tjetër qëndrim ndaj kësaj diktature”, u shpreh Pazmino.

Ish-shefi i inteligjencës ekuadoriane nënvizoi se e ashtuquajtura “mafia shqiptare” nuk ka kapacitete për të organizuar sulme terroriste kundër një shteti. Ai theksoi se shqiptarët që ndodhen në Ekuador janë të përfshirë në rrjete kriminale që merren me trafik kokaine dhe jo me akte politike ose terroriste.

“Mafia shqiptare që vepron në territorin ekuadorian nuk ka kapacitetin dhe strukturën e nevojshme të organizimit. Është një mafie që vepron në mënyrë klandestine me pak elementë dhe ka krijuar disa lidhje me organizata lokale. Duhet të themi se kjo lloj strukture kriminale nuk ka kapacitete për t’u përballur drejtpërdrejt me shtetin, por operon vetëm në lëvizjen e sasive të kokainës drejt Evropës”, sqaroi Pazmino.

Sipas tij, presidenti venezuelian po i ngatërron me dashje grupet kriminale lokale, të cilat janë të lidhura me qeverinë e tij, me mafian shqiptare.

“Mendoj se zoti Maduro, apo ky llafazan i madh, bën fjalë drejtpërdrejt për këto organizata apo kartele që veprojnë në Venezuelë, me pjesë të qeverisjes venezueliane. Ai po ngatërron mafian shqiptare me strukturën që ka drejtpërdrejt diktatori Maduro, që është karteli ‘Del Soles’”, përfundoi ai.

mario pazmiño nicolas maduro

Sondazh

Poll