Aktualitet

"Piktura u largua nga trojet shqiptare për shkak të pushtimit osman!" Papa Leoni XIV viziton “Zojën e Shkodrës” (FOTO)

Në këtë kishë ruhet figura e Zojës ardhur aty nga Shqipëria në prag të pushtimit osman.

10 Maj 2025, 19:52 Nga M.B
"Piktura u largua nga trojet shqiptare për shkak të pushtimit
Papa Leoni XIV

ITALIA- Papa Leoni XIV ka zhvilluar pasditen e sotme një vizitë të papritur në Kishën e Zojës së Këshillit të Mirë në Genazzano të Italisë. Në këtë kishë ruhet figura e Zojës ardhur aty nga Shqipëria në prag të pushtimit osman. Papa përshëndeti njerëzit në shesh dhe u lut para figurës së Virgjërës Mari, që njihet edhe me emrin Zoja e Shkodrës.

“Kam dashur shumë të vija këtu, në këto ditë të para të Shërbesës së re që më dorëzoi Kisha, për të çuar përpara misionin si Pasardhës i Pjetrit", mësohet të ketë thënë Papa.

Figura e Zojës së Këshillit të Mirë ishte veçanërisht e dashur për paraardhësin me të njëjtin emër të Papës aktual, për Papën Leoni XIII, i cili nuk arriti ta vizitonte kurrë, por që në vitin 1903 e ngriti kishën në dinjitetin e një bazilike minore. Edhe Papë të tjerë kanë shkuar për t’u lutur te Nëna e Këshillit të Mirë: Papa shenjt Gjoni XXIII në vitin 1959 dhe Papa shenjt Gjon Pali II në vitin 1993, para se të nisej për në Shqipëri, ku pikërisht në Shkodër çoi kopjen e fugures së Zojës.

Papa Leoni XIV pati shkuar herën e fundit si kardinal, më 25 prill 2024, për të kremtuar festën e “Ardhjes” së Nënës së Këshillit të Mirë në Gjenacan. Në homelinë e tij, kardinali i atëhershëm Prevost shprehu përkushtimin e ndaj Virgjërës, duke u bërë thirrje besimtarëve që të frymëzohen nga Maria për të përhapur paqen dhe pajtimin në botë.

papa leoni xiv

Sondazh

Poll