Politike

Etapa e tretë e Giro d'Italia në Vlorë, PS kërkesë KQZ: Orari i mbylljes së disa qendrave të votimit në këtë qark të mbyllen në orën 22:00

Në kërkesë thuhet se bllokimi i këtyre akseve rrugore do të ndikojë në aksesueshmërinë e 55 qendrave të votimit të kësaj Bashkie.

10 Maj 2025, 11:22 Nga r.ll
Etapa e tretë e Giro d'Italia në Vlorë, PS kërkesë
foto ilustruese

VLORË- Drejtuesi politik i Partisë Socialiste për qarkun e Vlorës, Bledi Çuçi i ka dërguar kërkesë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve ku i kërkon zgjatjen e orarit të mbylljes së disave qendrave të votimit atje.  Kërkesa e Çuçit, vjen pasi nesër në Vlorë do të zhvillohet etapa e tretë e aktivitetit sportiv ndërkombëtar "Giro D'Italia". 

Në kërkesën e mëposhtme thuhet se masat e ndërmarra për organizimin e këtij eventi do të përfshijnë bllokimin e 14 akseve kryesore rrugore në qytetin e Vlorës dhe zonat përreth, shumica e të cilave do të qëndrojnë të bllokuara për më shumë se 4 orë. 

Më tej thuhet se bllokimi i këtyre akseve rrugore do të ndikojë në aksesueshmërinë e 55 qendrave të votimit të kësaj Bashkie. PS kërkon që për të gjitha këto qendra të shtyhet orari i votimit deri në orën 22:00.

KËRKESA E PLOTË: 

Drejtuar: z. Ilirian Celibashi

Kryetar i Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve

Lënda: Kërkesë për shtyrje të orarit të mbylljes së disa qendrave të votimit në Qarkun e Vlorës

I nderuar z. Celibashi

Në vijim të komunikimit me Bashkinë e Vlorës, ju informoj se në datën 11 Maj 2025, në territorin e kësaj Bashkie do të zhvillohet aktiviteti sportiv ndërkombëtar "Giro D'Italia". Masat e ndërmarra për organizimin e këtij eventi do të përfshijnë bllokimin e 14 akseve kryesore rrugore në qytetin e Vlorës dhe zonat përreth, shumica e të cilave do të qëndrojnë të bllokuara për më shumë se 4 orë. Sipas informacioneve të marra nga Bashkia e Vlorës, bllokimi i këtyre akseve rrugore do të ndikojë në aksesueshmërinë e 55 qendrave të votimit të kësaj Bashkie. Në përgjigje të kërkesës për informacion, Bashkia e Vlorës na ka vendosur në dispozicion një listë të detajuar të akseve rrugore që do të bllokohen dhe qendrave të votimit të cilat do të afektohen nga ky bllokim, të cilën mund ta gjeni bashkëlidhur kësaj shkrese.

Bazuar në këtë informacion dhe duke vlerësuar se lëvizja e qytetarëve drejt këtyre qendrave mund të jetë e vështirësuar apo e pamundur për një pjesë të ditës, kërkojmë që për të gjitha këto qendra të shtyhet orari i votimit deri në orën 22:00. Vlerësojmë se kjo shtyrje e orarit është e domosdoshme për të garantuar ushtrimin e së drejtës kushtetuese për të votuar dhe për të siguruar një proces zgjedhor të papenguar, ku çdo qytetar të ketë mundësi për të ushtruar të drejtën e tij për të zgjedhur.

Duke ju falënderuar për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin,

Bledar Çuçi, Drejtues Politik i Partisë Socialiste Vlorë

Etapa e tretë e Giro d'Italia në Vlorë, PS kërkesë

ps kqz giro d italia

Sondazh

Poll