Politike

Bienalja e Venecias, Shqipëria prezantohet me kullat e Ramës

Në Bienalen e 19-të të Arkitekturës në Venecia, Shqipëria paraqitet jo me risi apo debat mbi të ardhmen urbane, por me estetizmin e pushtetit personal, ku arkitektura kthehet në mjet imponimi dhe marketingu. Në vend të një vizioni të qëndrueshëm, pavijoni glorifikon një model ndërtimi të centralizuar dhe të padiskutuar, që shet për art shijet dhe skicat personale të Kryeministrit.

10 Maj 2025, 11:01 Nga Egla Xhemalaj
Bienalja e Venecias, Shqipëria prezantohet me kullat e Ramës
foto ilustruese

TIRANË- Në Bienalen e 19-të Ndërkombëtare të Arkitekturës në Venecia, Shqipëria paraqitet me një pavijon që flet për “ndërtimin e kulturës arkitektonike”, ndërsa realisht ekspozon shndërrimin e arkitekturës në një instrument pushteti dhe tregtie. Në vend të një risie dhe ekspozimi mbi arkitekturën e së ardhmes, pavijoni shqiptar glorifikon një model arkitektonik të sundimtarit, ku arti imponohet, jo frymëzohet, dhe që shitet si efekt për turizmin dhe jo si temë e vërtetë e Bienales.

Në thelb të këtij modeli qëndron dëshira e Kryeministrit për të vizatuar jo metaforikisht, por realisht objekte që më pas ua ofron arkitektëve të huaj si bazë për t’i materializuar. Këto skica personale, të mbështetura jo në konkurrencë të hapur, por në urdhër politik, shpallen si vizion modern dhe ekspozohen si vepra arti në Bienale. Kështu, Shqipëria përfaqësohet jo me një novatorizëm të arkitekturës, por me estetizmin e një pushteti që shet për art shijet e një njeriu të vetëm. Arkitektët e huaj të cilët marrin pjesë edhe në pavijonin tonë, angazhohen për të zbatuar këto ide dhe e gjejnë Shqipërinë një terren të përshtatshëm për të eksperimentuar me projekte që në vendet e tyre do të refuzoheshin për shkak të shkeljeve të rregullores urbane.

Kulla që duken si karikatura estetike, objekte pa kontekst dhe pa përmasë humane, mbrohen në Këshillin Kombëtar të Rregullimit të Territorit, me justifikimin se po krijojnë një “siluetë urbane”  një term që në fakt maskon mungesën e çdo kriteri real të rregullores arkitektonike të qyteteve dhe shpërfilljen e komunitetit. Në këtë kuptim, pavijoni shqiptar nuk është një ftesë për debat, por një përpjekje për të legjitimuar një rend të ri estetik, ku arkitektura nuk del nga konkursi, komuniteti apo nevoja funksionale, por nga dëshira personale dhe egoja politike. Kultura e ndërtimit është zëvendësuar nga kultura e imponimit.

Në vend që Bienalja të shërbejë si hapësirë për novatorizëm dhe risi arkitektonike, ajo është shfrytëzuar si vitrinë për të eksportuar një produkt të brendshëm të deformuar: një arkitekturë që i bindet pushtetit dhe jo artit, që shërben më shumë për fotografinë e radhës sesa për jetën qytetare. Kështu, ndërsa pjesa tjetër e botës diskuton qëndrueshmëri, trashëgimi, kontekst dhe zhvillim në epokën e inteligjencës artificiale, Shqipëria në Venecia ekspozon një spektakël lejesh ndërtimi.

bienalja e venecias

Sondazh

Poll