Bota

Bashkohen për paqen në Ukrainë/ Takimi historik i liderëve evropianë me Zelenskyn në pallatin presidencial në Kiev

Vizita e udhëheqësve të Francës, Gjermanisë, Britanisë dhe Polonisë i përgjigjet simbolikisht festimeve të mbajtura të premten në Moskë për 80-vjetorin e fitores ndaj Gjermanisë naziste në prani të Presidentit rus Vladimir Putin dhe rreth 20 udhëheqësve të huaj, përfshirë Presidentin kinez Xi Jinping.

10 Maj 2025, 09:55 Nga M.L
Bashkohen për paqen në Ukrainë/ Takimi historik i liderëve
Foto ilustruese

KIEV- Presidenti francez Emmanuel Macron, kancelari gjerman Friedrich Merz dhe kryeministri britanik Keir Starmer mbërritën në Kiev ditën e sotme në mëngjes me qëllim që të shprehin mbështetjen e tyre për Ukrainën dhe t'i kërkojnë Rusisë të pranojë një armëpushim "të plotë dhe pa kushte" 30-ditor dhe tashmë po takohen me Volodymyr Zelensky dhe Donald Tusk në pallatin presidencial. 

Të tre udhëheqësit zbritën së bashku nga treni që i çoi ata nga Polonia në Kiev. Vizita e udhëheqësve të Francës, Gjermanisë, Britanisë dhe Polonisë i përgjigjet simbolikisht festimeve të mbajtura të premten në Moskë për 80-vjetorin e fitores ndaj Gjermanisë naziste në prani të Presidentit rus Vladimir Putin dhe rreth 20 udhëheqësve të huaj, përfshirë Presidentin kinez Xi Jinping.

"Ne vazhdojmë të rrisim mbështetjen tonë për Ukrainën. Po intensifikojmë presionin tonë mbi makinën ruse të luftës derisa Rusia të pranojë një armëpushim të qëndrueshëm", theksuan të katër udhëheqësit në një deklaratë të përbashkët dje.

Macron, Starmer, Merz dhe Tusk do të marrin pjesë së bashku me Zelenskyn në një konferencë online me udhëheqës të tjerë të "aleancës së të vullnetshmëve", vendeve perëndimore, kryesisht evropiane, që janë të gatshme t'i ofrojnë "garanci sigurie" Ukrainës.

Udhëheqësit evropianë po shkojnë në Kiev të mbështetur nga apeli i Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, i cili të enjten i bëri presion Rusisë të pranonte një "armëpushim 30-ditor pa kushte", ndërsa kërcënoi Moskën me sanksione të reja nëse ajo refuzon.

Duke folur për rrjetin televiziv amerikan ABC, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, vlerësoi se përpara se të shpallet një armëpushim, dërgesat e armëve perëndimore në Kiev duhet të ndalen, pasi përndryshe "Ukraina do të gjendet në një pozicion të favorshëm", në një kohë kur "trupat ruse po përparojnë me besim" në front. Peskov deklaroi gjithashtu se Kievi nuk është gati për negociata.

 

emmanuel macron friedrich merz keir starmer

Sondazh

Poll