Bota

Një hap tjetër drejt luftës nga India dhe Pakistani/ 'Shkëmbejnë' sulme me raketa në bazat ushtarake në të dyja anët

India nisi një raund të ri përplasjesh midis dy fuqive bërthamore me avionë luftarakë indianë që lëshuan raketa kundër tre bazave ajrore në Pakistan.

10 Maj 2025, 09:12 Nga M.L
Një hap tjetër drejt luftës nga India dhe Pakistani/
Foto ilustruese

INDI- Bota vazhdon të shikojë me padurim mundësinë që India dhe Pakistani të vazhdojnë një konflikt të hapur ushtarak pas "shkëmbimit" të raketave gjatë natës që synojnë bazat ushtarake në të dyja anët. India nisi një raund të ri përplasjesh midis dy fuqive bërthamore me avionë luftarakë indianë që lëshuan raketa kundër tre bazave ajrore në Pakistan.

Sipas një zëdhënësi të ushtrisë indiane, avionët luftarakë qëlluan raketa ajër-tokë në bazat Noor Khan, Murid dhe Shorkot të Forcave Ajrore Pakistaneze, pa raportuar ndonjë viktimë apo dëme të konsiderueshme materiale.

Pakistani u përgjigj pak kohë më vonë me Operacionin "Muri prej Plumbi", në të cilin avionë luftarakë nga forcat ajrore të vendit goditën infrastrukturën dhe bazat ushtarake indiane, duke përfshirë aeroportin ushtarak Pathankot dhe depon e raketave BrahMos në shtetin indian të Punjabit, si dhe bazën ajrore Udapur në Kashmirin e administruar nga India.

Përgjigja e Indisë erdhi me një deklaratë nga Ministria e Mbrojtjes: “Forcat e armatosura indiane mbajnë një nivel të lartë gatishmërie dhe të gjitha kërcënimet ajrore monitorohen dhe kundërshtohen me sisteme anti-dronë.”

Ushtria indiane tha se "përshkallëzimi provokues i tensionit nga Pakistani me dronë dhe armë të tjera vazhdon përgjatë kufirit tonë perëndimor". Thuhet se disa dronë armik u vunë re mbi qytetin Amritsar në Punjab, të cilët u “kundërsulmuan dhe u shkatërruan menjëherë nga njësitë e mbrojtjes ajrore”.

Në të njëjtën kohë, ushtria indiane akuzoi Pakistanin për sulm ndaj objekteve mjekësore dhe arsimore në Kashmirin Indian, duke folur, sipas Reuters, për sulme ajrore nga forcat ajrore pakistaneze në 26 vende.

konflikti indi-pakistan

Sondazh

Poll