Aktualitet

Kolegji i Posaçëm i Apelimit rrëzon KPK-në, shkarkon nga detyra prokurorin e Tiranës Afrim Shehu

Vendimi i Komisioni i Pavarur i Kualifikimit u ankimua nga Komisioneri Publik dhe në vijim, gjatë zhvillimit të procesit në Kolegj, ishte SPAK që kërkoi shkarkimin nga detyra të Shehut për deklarim të pasaktë dhe të pamjaftueshëm të pasurisë.

8 Maj 2025, 16:31 Nga M.L
Kolegji i Posaçëm i Apelimit rrëzon KPK-në, shkarkon nga
Foto ilustruese

TIRANË- Kolegji i Posaçëm i Apelimit (KPA) ka vendosur unanimisht sot shkarkimin nga detyra të prokurorit të Tiranës Afrim Shehu. Ai ishte konfirmuar në detyrë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit më 15 maj 2024. Vendimi i Komisioni i Pavarur i Kualifikimit u ankimua nga Komisioneri Publik dhe në vijim, gjatë zhvillimit të procesit në Kolegj, ishte SPAK që kërkoi shkarkimin nga detyra të Shehut për deklarim të pasaktë dhe të pamjaftueshëm të pasurisë.

Në vendimin e sotëm, trupi gjykues i përbërë nga Albana Shtylla, kryesuese, Sokol Çomo relator, Ina Rama, Mimoza Tasi dhe Rezarta Schuetz anëtare, konkluduan se prokurori nuk arrin nivel të besueshëm në vlerësimin e kriterit të pasurisë, ndryshe nga sa kishte vlerësuar KPK-ja, duke e nxjerrë përfundimisht nga sistemi i drejtësisë.

“Trupi gjykues i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, i përbërë nga Albana Shtylla kryesuese, Sokol Çomo relator, Ina Rama, Mimoza Tasi, Rezarta Schuetz anëtare, shpalli vendimin për çështjen nr. 41/2024, datë 21.10.2024, që i përket ankimit të Komisionerit Publik kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 762, datë 15.05.2024, që lidhet me subjektin e rivlerësimit Afrim Shehu. Në përfundim të gjykimit, trupi gjykues, bazuar në nenin 66, pika 1, shkronja “b” e ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, në mënyrë unanime, vendosi: Ndryshimin e vendimit nr. 762, datë 15.05.2024 të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe shkarkimin nga detyra subjektit të rivlerësimit Afrim Shehu”, thuhet në njoftimin e KPA-së.

kolegji i posaçëm i apelimit komisioni i pavarur i kualifikimit

Sondazh

Poll