Aktualitet

Vijojnë kërkimet për trupin e 29-vjecarit në Burrel/ Babai i tij apelon autoritetet: Kemi nevojë për ndihmë! Institucionet nuk janë dukur fare, erdhën dje bënë ca letra dhe askush nuk është sot këtu

Në një deklaratë për 'Report Tv', Nerim Beshiri, babai i 29-vjeçarit, apelon autoritetet shtetërore ta ndihmojnë të gjejnë të birin duke shtuar se në vendngjarje kishin shkuar vetëm shtatë ushtarë.

4 Maj 2025, 13:19 Nga M.L
Vijojnë kërkimet për trupin e 29-vjecarit në Burrel/ Babai i
Foto ilustruese

BURREL- Në Qafën e Burrelit ende vijojnë kërkimet për trupin e 29-vjeçarit, Ardit Beshiri, i cili ishte duke punuar me eskavator kur një masiv i madh dheu e zuri poshtë në fabrikën e përpunimit të Kromit. Në një deklaratë për 'Report Tv', Nerim Beshiri, babai i 29-vjeçarit, apelon autoritetet shtetërore ta ndihmojnë të gjejnë të birin duke shtuar se në vendngjarje kishin shkuar vetëm shtatë ushtarë.

Beshiri tha se me mjetet që ato kanë në dispozicion është e pamundur gjetja, pasi rrëshqitja është gati 4 km.  

"Kanë ardhur 6-7 ushtarë, kanë ardhur vetëm me cizme dhe lopata. Nuk bëhet kjo punë kështu, duhen makina të mëdha. Na duhen mjete të specializuara apo edhe qen i përgatitur për zbulime të tilla. Kemi nevojë për ndihmë, institucionet të më ndihmojnë të gjejmë djalin. Nuk janë dukur fare, erdhën dje bënë ca letra dhe askush nuk është sot këtu”, tha Beshiri. 

Ndërkohë 44-vjeçari Admir Lala, drejtues teknik i një kompanie është arrestuar pasi për shkak të shembjes së një masivi kromi në Klos është zhdukur një 29-vjeçar, i cili u zu poshtë bashkë me një fadromë ditën e djeshme.

I riu ishte duke punuar me mjetin fadromë, kur u zu poshtë nga masivi i rërës dhe mineralit. Nga shembja e masivit është çarë edhe një rezervuar uji. Ndërkohë mësohet se fabrika në të cilën përpunohej kromi ishte marrë me qira dy kinezë.

burrel

Sondazh

Poll