Bota

Anulloi takimet në SHBA për shkak se ishte i sëmurë/ Ish-diplomati: Është e sajuar, shefja e stafit të Trump e përzuri nga Mar-a-Lago

Gjithashtu ai tha se ky veprim ka dëmtuar ndjeshëm marrëdhëniet e Vuçiçit me SHBA-në dhe Rusinë, por edhe me liderët europianë.

3 Maj 2025, 18:11 Nga E. D
Anulloi takimet në SHBA për shkak se ishte i sëmurë/
Aleksandar Vuçiç

SERBI- Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, është shtruar në Spitalin Ushtarak në Beograd më 3 maj, raportojnë mediat në Beograd. Paraprakisht, Vuçiç ishte sëmurë gjatë vizitës në Shtetet e Bashkuara. Ai ishte kontrolluar nga mjekët dhe pas kontrollit kishte vendosur të kthehej në Serbi, sipas transmetuesit publik serb, RTS.

Vuçiç gjatë qëndrimit në SHBA u takua me ish-kryetarin e Nju Jorkut, Rudy Giuliani. Ai ishte paraparë që të takohej me disa zyrtarë të lartë të Partisë Republikane, para se të ndërpriste vizitën në SHBA. I dërguari i presidentit amerikan për Misione të Posaçme, Richard Grenell, i ka uruar shërim të shpejtë Vuçiçit, pasi udhëheqësi serb ndërpreu vizitën papritur.

Në një postim në X, Grenell po ashtu ka shprehur keqardhje që nuk ka mundur të takohet me udhëheqësin serb. Sipas agjencisë Tanjug, Vuçiç u sëmurë teksa po përgatitej për takimet me kongresistë amerikanë. Zyra e Presidencës serbe nuk iu përgjigj kërkesës së Radios Evropa e Lirë e Lirë për koment, por RTS-ja ka raportuar se në ditët në vijim publiku do të informohet me detaje lidhur me shëndetin e Vuçiçit.

Ndërsa, ish-diplomati serb Nebojsha Vujoviç, ka deklaruar se shkaku kryesor ishte një ndalim për të hyrë në kompleksin Mar-a-Lago në Florida, vendbanimi i Donald Trumpit. Gjithashtu ai tha se ky veprim ka dëmtuar ndjeshëm marrëdhëniet e Vuçiçit me SHBA-në dhe Rusinë, por edhe me liderët europianë. Ish-diplomati thekson se Vuçiç e ka gërryer pozicionin e tij si në Uashington ashtu edhe në Moskë, dhe se studentët e “kurorëzojnë” atë në Evropë.

“Trumpi ka interes më të madh për një marrëdhënie të drejtpërdrejtë strategjike me Putinin (ndërsa Zelenskin e ka ‘lënë pas’), sesa për Vuçiçin që kërkonte të zgjidhte tensionet e brendshme në Serbi përmes një fotografie me ish-presidentin amerikan. Me atë foto, ai synonte të qetësonte presionin nga Europa dhe pastaj të afrohej me Moskën. Por, tentimi për t’u pozicionuar ndërmjet Trumpit dhe Putinit vetëm sa ia ka dobësuar pozitën.

Sjellja e tij e ka cenuar më shumë në sytë e Europës sesa ndikimi i protestave studentore. Këta të fundit kanë arritur ta nxisin të veprojë në mënyrë të pamatur, duke e çuar nga një gabim në tjetrin. Ai kërkoi përballje me komunitetin akademik dhe shtypje të protestave, por efektet po dalin të kundërta. Tashmë edhe përkrahësit ndërkombëtarë përfshirë Brukselin, Parisin dhe Berlinin po e shohin me dyshim”, përfundoi Vujoviç.

aleksandar vuçic

Sondazh

Poll