Bota

Konklava për zgjedhjen e Papës së rinë Vatikan/ Kardinalët nxitin debate për pasardhësin e kreut të Kishës

Punëtorët kanë vendosur tashmë oxhakun ceremonial mbi çatinë e Kapelës Sistine simbol kyç që do të sinjalizojë zgjedhjen e Papës përmes tymit të bardhë.

3 Maj 2025, 15:33 Nga E. D
Konklava për zgjedhjen e Papës së rinë Vatikan/
foto ilustruese

ROMË- Në Vatikan kanë hyrë në fazën përfundimtare përgatitjet për konklavën që do të zhvillohet të mërkurën, ku do të zgjidhet Papa i 267-të i Kishës Katolike. Punëtorët kanë vendosur tashmë oxhakun ceremonial mbi çatinë e Kapelës Sistine simbol kyç që do të sinjalizojë zgjedhjen e Papës përmes tymit të bardhë.

“Konklava do të jetë e shkurtër. Mendoj se ekziston një konsensus i gjerë… vizioni është i qartë mbi atë që i duhet Kishës dhe botës nga Papa i ri”,  u shpreh kardinali Gregorio Rosa Chavez nga Salvadori për televizionin amerikan ABC News.

Edhe pse Chavez, 82 vjeç, nuk ka të drejtë vote në konklavë, ai ka marrë pjesë në kongregacionet e përgjithshme të kësaj jave, ku janë bërë të dallueshëm disa nga favoritët për fronin papnor. Pjesa më e madhe e kardinalëve nga mbarë bota tashmë ndodhen në Vatikan, ku marrin pjesë në mbledhje të rregullta, të quajtura kongregacione të përgjithshme.

Gjatë këtyre takimeve, ata njihen më mirë me njëri-tjetrin, mbajnë fjalime dhe diskutojnë mbi profilin e Papës që duan të shohin në krye të Kishës. Aktualisht, kardinalët ende nuk janë futur në izolimin e detyrueshëm të konklavës, ndaj mund të shihen shpesh në Sheshin e Shën Pjetrit pas mbledhjeve, madje disa publikojnë rregullisht në rrjetet sociale.

Një prej tyre, kardinali Timothy Dolan nga New Yorku, poston çdo ditë përditësime që ofrojnë një pasqyrë mbi traditat e lashta të Vatikanit. Në këtë konklavë do të marrin pjesë 133 kardinalë me të drejtë vote numri më i lartë në histori prej të cilëve 108 janë emëruar nga Papa Françesku. Siç raportohet dhjetë vijnë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Procesi i votimit do të nisë pas betimit solemn të fshehtësisë dhe do të zhvillohet katër herë në ditë dy herë në mëngjes dhe dy herë në mbrëmje derisa të arrihet shumica e cilësuar prej dy të tretash për zgjedhjen e Papës së ri. Pas çdo raundi votimi, fletët do të digjen në oxhakun e Kapelës Sistine. Tymi i zi njofton se nuk është arritur marrëveshja, ndërsa tymi i bardhë sinjalizon se Kisha Katolike ka një udhëheqës të ri.

Ndërkohë, ekspertët po analizojnë listat e kandidatëve potencialë, duke marrë në konsideratë prejardhjen e tyre, bindjet doktrinare dhe aftësitë që mund të sjellin në drejtimin e Kishës. Megjithatë, deri në momentin që tymi i bardhë të ngjitet mbi Vatikan, gjithçka mbetet në fushën e spekulimeve. Vetëm 133 kardinalët në brendësi të konklavës do të jenë ata që do ta përcaktojnë të ardhmen e Selisë së Shenjtë.

vatikan zgjedhja e papes

Sondazh

Poll