Aktualitet

Raporti i “Reporterët Pa Kufij” për Shqipërinë/ Asociacioni i Gazetarëve: Një realitet i turbullt dhe larg përmirësimeve të qëndrueshme

Në reagim thuhet se AGSH vëren faktin që Shqipëria është ngjitur me 19 vende në Indeksin Botëror të Lirisë së Shtypit për vitin 2025, por një vështrim i kujdesshëm mbi treguesit tematikë tregon një realitet të turbullt dhe larg përmirësimeve të qëndrueshme.

2 Maj 2025, 09:49 Nga M.B
Raporti i “Reporterët Pa Kufij” për Shqipërinë/
Foto ilustruese

TIRANA- Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë ka reaguar pas publikimit të raportit të organizatës “Reporterët Pa Kufij” për vitin 2025 për lirinë e medias. Në reagim thuhet se AGSH vëren faktin që Shqipëria është ngjitur me 19 vende në Indeksin Botëror të Lirisë së Shtypit për vitin 2025, por një vështrim i kujdesshëm mbi treguesit tematikë tregon një realitet të turbullt dhe larg përmirësimeve të qëndrueshme.

AGSH shton se ngjitja në renditje nuk duhet të përdoret për propagandë, por si një moment reflektimi për të kuptuar thellësisht defektet strukturore që kërcënojnë median në Shqipëri. Gjithashtu në reagim thuhet se në treguesit politik Shqipëria ka rënë nga vendi i 110 në 2024, në vendin e 119 në 2025, me një pikëzim nga 42.27 në vetëm 38.62, duke reflektuar një përkeqësim të qartë të klimës politike për median.

Po ashtu AGSH shton se në treguesit ekonomik nga vendi i 142 në 2024, Shqipëria ka rënë në vendin 147, me pikëzim që bie nga 34.64 në 31.69 dhe kjo tregon thellimin e krizës në modelin e qëndrueshmërisë financiare të medias.

POSTIMI:

Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë vëren faktin që Shqipëria është ngjitur me 19 vende në Indeksin Botëror të Lirisë së Shtypit për vitin 2025, por një vështrim i kujdesshëm mbi treguesit tematikë tregon një realitet të turbullt dhe larg përmirësimeve të qëndrueshme.

Treguesi politik

Shqipëria ka rënë nga vendi i 110 në 2024, në vendin e 119 në 2025, me një pikëzim nga 42.27 në vetëm 38.62, duke reflektuar një përkeqësim të qartë të klimës politike për median. Ky regres vjen si rezultat i:
• Politizimit ekstrem të institucioneve që rregullojnë median publike.
• Emërimeve partiake në krye të RTSH dhe AMA, që kanë cenuar pavarësinë editoriale.
• Frikësimit dhe delegjitimimit të gazetarëve kritikë nga të dyja kampet politike, sidomos në prag të zgjedhjeve.

Kjo rënie është dëshmi se, pavarësisht ngjitjes në renditjen e përgjithshme, presioni politik është rritur dhe hapësira për gazetari të lirë po ngushtohet çdo ditë.

Treguesi ekonomik

Nga vendi i 142 në 2024, Shqipëria ka rënë në vendin 147, me pikëzim që bie nga 34.64 në 31.69. Kjo tregon thellimin e krizës në modelin e qëndrueshmërisë financiare të medias. Varësia nga fonde shtetërore dhe lidhjet e pronarëve të mediave me pushtetin politik po përkeqësojnë më tej mjedisin për gazetari të pavarur.

Treguesit e tjerë

Treguesi i sigurisë ka pësuar një rritje të ndjeshme nga vendi 112 në vendin 70, falë disa përmirësimeve në hetimin e sulmeve ndaj gazetarëve. Megjithatë, krimi i organizuar dhe mungesa e ndëshkueshmërisë mbeten rreziqe serioze.

Treguesi legjislativ ka njohur përparim nga vendi 69 në 53, por mungesa e mbrojtjes së burimeve dhe vendimet gjyqësore që censurojnë raportimet për çështje publike ende janë problematike.

Ngjitja në renditje nuk duhet të përdoret për propagandë, por si një moment reflektimi për të kuptuar thellësisht defektet strukturore që kërcënojnë median në Shqipëri.

liria e medias

Sondazh

Poll