Aktualitet

"Kisha një muaj pritje, ma zgjidhi ‘Stop-i’ brenda ditës", halli i qytetarit…

Eugjeni kërkon ta kalojë në emrin e tij të gjithë pronën, por edhe pse ka bërë aplikim nuk i jepet shërbimi, që duhej të kryhej për pesë ditë.

30 Prill 2025, 22:00 Nga r.ll
"Kisha një muaj pritje, ma zgjidhi ‘Stop-i’ brenda
foto ilustruese

TIRANË- Qytetari Eugjen Avrami tregon se ka që më 19 Mars, që nuk po merr dot shërbim nga ana e kadastrës. Ai thotë se ka një pronë, që ndodhet në qytetin e Fierit, pronë në të cilën janë tre bashkëpronarë. Eugjeni kërkon ta kalojë në emrin e tij të gjithë pronën, por edhe pse ka bërë aplikim nuk i jepet shërbimi, që duhej të kryhej për pesë ditë.

“Kam pasur një problematikë, duke qenë se kam aplikuar për një kopje të një certifikate të pronësisë dhe kartele të pronës që kam në Fier, që në datën 19 Mars, shërbim të cilin duhet ta merrja brenda 5 ditëve. Jemi të tre bashkëpronarë dhe për arsye se unë dua ta kaloj këtë pronë në emrin tim, më kërkohet nga noteria këto dokumente që unë të kaloj pronën në emrin tim. Është një dyqan në qytetin e Fierit të cilin e kam në emrin e mamasë dhe të motrës.

Duke qenë se nga data 19 Mars e deri në fund të Marsit kanë qenë disa ditë pushim, i kam mirëkuptuar në vonesën e daljes së dokumentacionit. Në fillim të Prillit kam dërguar e-mail në e-Albania dhe përgjigja e tyre është thjesht që ‘ne ua kemi përcjellë si problematikë, prisni, bëni durim derisa të marrim një përgjigje që t’ua kthejmë dhe juve’. Të njëjtin e-mail kam dërguar edhe pranë zyrave të ASHK-së, për të marrë një informacion në adresën e tyre të e-mail dhe përgjigja përsëri është që ‘po ia kemi dërguar zyrës Mallakastër që është vendore dhe do prisni informacionin’. Nxitohem faktikisht sepse ashtu i kam kushtet që duhet t’i kryej sa më shpejt. Prona është e pastër pa problematikë”, tha për mikrofonin e emisionit “Stop” qytetari.

Pas ndërhyrjes së gazetarit të “Stop” Eugjen Avrami, tregon se pasnjë muaji pritjeje, i shkuan dokumentet e kërkuara nëpërmjet aplikimit në e-Albania.

“Më në fund pas një muaji pritje, që më datën 19 Mars të 2025-ës më erdhën dokumentet e kërkuara nëpërmjet aplikimit në e-Albania. U desh vetëm një interesim dhe u bë e mundur që Agjencia Shtetërore e Kadastrës që të vihej në lëvizje”, tha qytetari Eugjen Avrami./tvklan.al

eugjen avrami

Sondazh

Poll