Aktualitet

Sfidat moderne të artizanatit shqiptar, nga mungesa e tregjeve te kostot e larta

Mes drurit të punuar me dorë, bizhuterive të galvanizuara dhe tekstileve të thurura, artizanët ndajnë historitë e tyre të mbijetesës në një treg që ende nuk është formësuar plotësisht.

30 Prill 2025, 18:44 Nga N.F
Sfidat moderne të artizanatit shqiptar, nga mungesa e tregjeve te kostot e
Foto

TIRANË- Një ekspozitë me ngjyra, pasion dhe mjeshtëri u zhvillua këtë të mërkurë në Tiranë, por pas çdo produkti të punuar me dorë fshihen sfida të mëdha për artizanët shqiptarë. Mes drurit të punuar me dorë, bizhuterive të galvanizuara dhe tekstileve të thurura, artizanët ndajnë historitë e tyre të mbijetesës në një treg që ende nuk është formësuar plotësisht.

Për Alberta Metallari, që qëndron pas markës “Art në Dru E.T”, problemi më i madh nuk është më krijimi i punimeve, por gjetja e një tregu të qëndrueshëm për t’i shitur ato.  “Një event si ky na ndihmon shumë për t’u promovuar dhe për të krijuar lidhjet e duhura,” – tregon ajo për Monitor.

Ajo shton se turistët janë më kuriozët dhe e vlerësojnë artin që ajo sjell, por aktualisht, konsumatori kryesor mbetet vendas, sepse edhe vetë biznesi i saj operon vetëm brenda vendit.

Ndërkohë, Elda Gjikondi nga “Gur Element”, një nga të vetmet artizane në vend që galvanizon lëndë organike për të krijuar art unik, flet për një tjetër barrë: kostot e larta.  “Pothuajse 99% e materialit tim fillestar është i importuar. Kjo e rrit ndjeshëm çmimin final të produktit”, shprehet ajo.  Edhe kur blen etikisht dhe në mënyrë të qëndrueshme, gjë që për të është prioritet, përballet me mungesën e furnitorëve të brendshëm dhe rritje të shpenzimeve.

Si Alberta ashtu edhe Elda theksojnë mungesën e pikave të shitjes.

“Në Shqipëri ka shumë pak hapësira për artizanët ku mund të shesim produktet tona,” thotë Elda. Ndërkohë, ajo shton se të huajt i vlerësojnë jashtë mase punimet dhe pyesin shumë, por rrallë përkthejnë interesin në blerje.

Një tjetër shqetësim që përmendet nga artizanët është hyrja e produkteve të imituara, kryesisht nga Kina dhe Turqia, të cilat shiten me çmime shumë më të ulëta, duke deformuar konkurrencën dhe duke tërhequr konsumatorët vendas por mbi të gjitha ata të huaj. Kjo prani e produkteve “fallco” në treg, sipas tyre, ul vlerën e punimeve të dorës dhe bën më të vështirë ruajtjen e zanateve tradicionale.

Problemet nuk përfundojnë këtu. Kalimi i dijebërjes tek brezi i ri është gjithnjë e më i vështirë, pasi të rinjtë po largohen gjithnjë e më shumë nga puna me dorë. “Shumë zanate po shuhen sepse nuk ka më kush t’i trashëgojë,” shprehen artizanët.

Pikërisht për të nxitur diskutime për këto çështje dhe për të krijuar lidhje të reja mes brezave dhe sektorëve, AIDA në bashkëpunim me Ministrinë e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit organizuan edicionin e parë të “ZAN’ART”.

Sipas Drejtoreshës së AIDA-s, Laura Saro Plaku, “Artizanati shqiptar është dëshmia më e gjallë e lidhjes sonë të pashkëputur me rrënjët kombëtare. Kjo nuk është vetëm një ekspozitë, por një thirrje për të bashkëpunuar dhe për të mbështetur një sektor që mban gjallë shpirtin dhe identitetin tonë.”

Ministri Blendi Gonxhja theksoi rëndësinë e këtij sektori edhe për ekonominë: “Artizanati është një trashëgimi e gjallë e identitetit tonë kulturor dhe një mundësi konkrete për punësim, zhvillim ekonomik lokal dhe promovim ndërkombëtar të traditës.

Ai shtoi se në kuadër të programit kombëtar të granteve për kulturën dhe krijimtarin, këtë vit janë mbështetur 47 projekte me një vlerë prej 30 milionë lekësh, ndërsa po punohet për një certifikim për artizanët që produktet e tyre të jenë të krahasueshme me tregun e BE-së. Në një vend ku turizmi po rritet me ritme dyshifrore , ku vetëm në tremujorin e parë të vitit 2025 kanë hyrë 1.6 milionë turistë artizanati mbetet një potencial ende i pashfrytëzuar.

Kërkesa për produkte autentike ekziston. Por për ta kthyer këtë kërkesë në konsum real, duhen politika që mbështesin prodhimin vendas, certifikimin, ndërtimin e tregjeve të qëndrueshme dhe edukimin e brezave të rinj. Sepse siç e dëshmojnë vetë artizanët: punët me dorë nuk janë thjesht biznese, por histori që ruhen, përcillen dhe lartësojnë identitetin shqiptar./ Monitor

artizani shqiptar tregjet

Sondazh

Poll