Bota

Rreziku i recesionit global rritet ndjeshëm pas valës së re të tarifave nga SHBA

Në një sondazh të zhvilluar mes më shumë se 300 ekonomistëve nga rreth 50 vende, 92% e të anketuarve deklaruan se tarifat kanë ndikuar negativisht në ndjenjën e biznesit global.

28 Prill 2025, 16:43 Nga N.F
Rreziku i recesionit global rritet ndjeshëm pas valës së re
Trump

SHBA- Rreziku për një recesion global është rritur ndjeshëm, si pasojë e tronditjeve të shkaktuara nga vendosja e tarifave të reja nga Presidenti amerikan Donald Trump, raportoi Reuters më 28 prill 2025. Në një sondazh të zhvilluar mes më shumë se 300 ekonomistëve nga rreth 50 vende, 92% e të anketuarve deklaruan se tarifat kanë ndikuar negativisht në ndjenjën e biznesit global.

Për pasojë, tre të katërtat e ekonomistëve ulën parashikimet për rritjen ekonomike globale në vitin 2025, nga 3.0% në 2.7%, ndërsa edhe Fondi Monetar Ndërkombëtar pret një rritje të ngjashme prej 2.8%.Masat përfshijnë një tarifë të përgjithshme prej 10% për të gjitha importet dhe një tarifë të veçantë prej 145% për mallrat nga Kina.

Këto zhvillime kanë shkaktuar luhatje në tregjet financiare, kanë dobësuar vlerën e aksioneve dhe të dollarit amerikan, si dhe kanë rritur pasiguritë mbi besueshmërinë e SHBA-së në marrëveshjet ndërkombëtare.

Ekspertët paralajmërojnë se tarifat mund të pengojnë përpjekjet e bankave qendrore për të mbajtur inflacionin nën kontroll, duke rritur rrezikun e një periudhe stagflacioni – karakterizuar nga rritje e dobët ekonomike, inflacion i lartë dhe papunësi në rritje.

Në këtë kontekst, ekonomitë e Kinës dhe Rusisë pritet të performojnë më mirë krahasuar me SHBA-në, ndërsa Meksika dhe Kanadaja kanë parë ulje të ndjeshme në parashikimet e tyre ekonomike. Shumica e ekonomistëve tani e konsiderojnë rrezikun e një recesioni global në vitin 2025 si të lartë ose shumë të lartë./ Monitor

tarifa e trump

Sondazh

Poll