Politike

Rrëfimi i kandidatit të PSD: Kur kthehem në 2 të natës, vajza zgjohet të më përqafojë

Mula thekson se pavarësisht lodhjes, një nga momentet më të veçanta për të është kur shkon në shtëpi dhe vajza e tij e vogël e përqafon.

28 Prill 2025, 11:30 Nga I.A
Rrëfimi i kandidatit të PSD: Kur kthehem në 2 të natës,
Tedi Mula

TIRANË- Kandidati i Partisë Social Demokrate, Tedi Mula ka ndarë një moment personal nga përditshmëria e tij, teksa përballet me ritmin e lodhshëm të takimeve dhe angazhimeve elektorale. Në një intervistë për Euronews Albania, Mula tregoi se shpesh kthehet në shtëpi në orët e vona të natës, pas aktiviteteve të pandërprera në terren. Mula thekson se pavarësisht lodhjes, një nga momentet më të veçanta për të është kur shkon në shtëpi dhe vajza e tij e vogël e përqafon.

“Unë kam zgjedhur të jem zëri i familjeve shqiptare. Çdo familje ka sfidat e veta. Pse të mos luftojmë për një sistem shëndetësor të mirë, për një arsim cilësor, për një turizëm të zhvilluar që sjell të ardhura për vendin tonë? Në çdo familje që vizitoj gjatë fushatës, ose një prind, ose një fëmijë është në emigrim. Pse duhet të ndodhë kjo? Jam bërë baba në moshën 27-vjeçare. Të jesh baba është misioni më i vështirë, më i vështirë se të jesh politikan. Me mbështetjen e familjes dhe veçanërisht të bashkëshortes sime, përpiqem të balancoj gjithçka. Gjatë javës, për shkak të fushatës, mungoj shumë, por e kompensoj fundjavën. Kjo është diçka për të cilën nuk bëj kompromis. Vajza ime, edhe pse është e vogël, e ndjen mungesën. Kur vij në shtëpi, qoftë edhe në orën 2 të natës, zgjohet dhe nuk e zë gjumi pa më parë. Familja për mua është e shenjtë, si për çdo shqiptar. Ndaj do të punoj për çdo familje shqiptare. Sepse misioni vazhdon,” tha Mula.

Rrëfimi i tij vjen në një kohë kur fushata ka hyrë në fazën më intensive, me takime derë më derë, mitingje publike dhe aktivitete që zgjasin deri në orët e vona. Mula theksoi se pavarësisht vështirësive, angazhimi për të sjellë ndryshim është i lidhur ngushtë me përgjegjësinë ndaj brezave të rinj.

tedi mula

Sondazh

Poll