Politike

Operacioni policor në Kaçanik, Sveçla: Aksioni po vijon ende, kemi disa arrestime! Po luftohet çdo lloj ekstremizmi dhe dhune që dëmton institucionet

Sveçla deklaroi se ka arrestime të reja nga ky operacion që lidhen me vrasjen e rreshterit, Muhamed Lika.

25 Prill 2025, 12:27 Nga N.F
Operacioni policor në Kaçanik, Sveçla: Aksioni po vijon ende,
Foto ilustruese

KOSOVË- Ministri i Punëve të Brendshme në Kosovë, Xhelal Sveçla ka reaguar në lidhje me operacionin policor që është zhvilluar mëngjesin e sotëm në Kaçanik. Sveçla deklaroi se ka arrestime të reja nga ky operacion që lidhen me vrasjen e rreshterit, Muhamed Lika. Ai theksoi se operacioni i Policisë së Kosovës në Kaçanik po vazhdon ende dhe numri i të arrestuarve nuk dihet.

“Tashmë është publike që ka arrestime të reja. Numri përfundimtar ende nuk dihet, për shkak se aksioni është duke vazhduar. Gjitha institucionet ligj-zbatuese janë të vendosura që të luftohet çfarëdo lloj ekstremizmi apo dhune, e cila dëmton institucionet dhe pjesëtarët e saj por po ashtu vetë popullin e saj”, ka thënë Sveçla.

Ai tha se Inspektorati Policor i Kosovës është duke zhvilluar hetime pasi u pyet nëse personat e arrestuar kanë qenë në liri edhe pse me vepra penale.

“Inspektorati Policor i Kosovës është duke zhvilluar hetime sa i përket kësaj informate, kur t’i kemi të dalurat nga këto hetime pastaj do të marrim masat e nevojshme”, shtoi ai.

Operacioni policor po realizohet në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë. Ditë më parë Policia e Kosovës ka zhvilluar një aksioni të gjerë në Kaçanik, ku më shumë se pesë persona u arrestuan si të dyshuar për përfshirje në vrasjen e rreshterit. Të dyshuarit, të cilët u identifikuan nga prokuroria vetëm me inicialet H.B., R.M., V.Ç., E.L., Sh.K., dhe D.G., akuzohen për vrasje të rëndë.

Muhamed Lika u vra natën e 1 prillit në shkallët e ndërtesës ku jeton në Kaçanik, teksa po kthehej në banesën e tij nga puna. Ai u vra pasi u qëllua mbrapa shpinës nga një i mitur, i cili veproi në bashkëkryerje me pesë të dyshuarit e tjerë, rreth mesnatës së 1 prillit pak pasi kishte hyrë në ndërtesën ku jeton.

Që të gjashtë të dyshuarit u arrestuan të hënën gjatë një operacioni të gjerë policor në Kaçanik dhe u dërguan në mbajtje për 48 orë.Drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha dhe kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Ferizaj, Burim Çerkini, thanë gjatë një konference për media në Ferizaj se dyshimet e para janë se motivet e vrasjes kanë të bëjnë me punën e rreshterit si zyrtar policor.

svecla

Sondazh

Poll