Politike

GJKKO e urdhëroi të regjistronte kallëzim penal për Xhaçkën dhe Gaçin/ SPAK ankimon vendimin në Apelin e Posaçëm, mbahet sot seanca e shqyrtimit

Sipas Prokurorisë së Posaçme, asnjë e dhënë e sipërfaqeve konkrete nuk ka rezultuar në lidhje me përfitimin e trojeve të sekuestruara apo konfiksuara për shkak të detyrës që ushtronte në atë periudhë subjekti i posaçëm Olta Xhaçka.

25 Prill 2025, 10:02 Nga r.ll
GJKKO e urdhëroi të regjistronte kallëzim penal për
foto ilustruese

TIRANË- Prokuroria e Posaçme ka ankimuar në Gjykatën e Posaçme, vendimin që e detyron SPAK të regjistrojë kallëzim penal ndaj ish-ministres Olta Xhaçka dhe bashkëshortit të saj, Artan Gaçi. Seanca është caktuar të mbahet ditën e sotme ku Apeli i Posaçëm do të shqyrtojë ankimimin e SPAK.

Sipas Prokurorisë së Posaçme, asnjë e dhënë e sipërfaqeve konkrete nuk ka rezultuar në lidhje me përfitimin e trojeve të sekuestruara apo konfiksuara për shkak të detyrës që ushtronte në atë periudhë subjekti i posaçëm Olta Xhaçka. Në ankimin që SPAK ka depozituar thotë se çështja e hetuar më herët nga prokuroria ka kaluar në filtrin e Gjykatës së Posaçme gjatë gjykimit të çështjes penale nr 189/2023 në seancë paraprake.

Prokurori Ols Dado shprehet se Gjykata e Posaçme ka ushtruar kontroll juridiksional, duke vendosur kalimin e dosjes ndaj Jorgo Goro për gjykim, duke pranuar kërkesën e prokurorisë, pasi ka çmuar se provat ishin të mjaftueshme për mbështetjen e akuzës. Sipas Dados, Gjykata nuk ka gjetur asnjë shkak, veçanërisht nga ato që ankuesi shtetasi Fredi Beleri parashtron, për të konkluduar se hetimet paraprake nuk ishin të plota, duke urdhëruar për pasojë plotësimin e tyre.

Në vendimin e arsyetuar të prokurorisë për mosfillim të hetimeve, sqarohet se procedimit penal ndaj Jorgo Goros nuk i ka munguar kontrolli gjyqësor, qoftë gjatë hetimit paraprak apo edhe gjatë gjykimit në seancë paraprake. Prokuroria e Posaçme shprehet se vendimi i GJKKO është i pambështetur në ligj dhe në prova i cenueshëm dhe si i tillë duhet të ndryshohet në tërësinë e tij.

Më 1 prill, Gjykata e Posaçme pranoi një ankim të bërë nga eurodeputeti dhe ish-kryebashkiaku i Himarës, Fredi Beleri, dhe urdhëroi Prokurorinë e Posaçme që të regjistrojë kallëzim penal ndaj ish-ministres Olta Xhaçka dhe bashkëshortit të saj, Artan Gaçi, për kryerjen e veprave penale "Shpërdorim i detyrës", "Falsifikim i dokumenteve" dhe "Pastrim i produktit të veprës penale" të kryer në bashkëpunim. Vendimi u firmos nga gjyqtarja e posaçme, Flora Hajredinaj.

olta xhaçka artan gaçi spak gjkko fredi beleri

Sondazh

Poll