Bota

Trupi i Papa Françeskut do të vendoset sot në Bazilikën e Shën Pjetrit, mijëra besimtarë priten për nderime në Vatikan

Deri të premten në orën 19, besimtarët do të mund të kryejnë derime në bazilikën e Shën Pjetrit.

23 Prill 2025, 07:46 Nga r.ll
Trupi i Papa Françeskut do të vendoset sot në Bazilikën e
papa

VATIKAN- Sot në orën nëntë të mëngjesit, sipas kohës lokale, trupi i Papa Françeskut do të vendoset në Bazilikën e Shën Pjetrit. Besimtarët sot, nesër dhe pasnesër do të mund të nderojnë trupin e papës së ndjerë deri në mesnatë, ndërsa të premten do të lejohet prania e besimtarëve katolikë në kishë deri në orën 19.00.

Të shtunën, menjëherë pas funeralit, trupi i papës argjentinase do të varroset në kishën e Santa Maria Maggiore, pranë stacionit qendror të trenit të Romës, në përputhje me dëshirën e shprehur nga vetë "papa i të varfërve" në testamentin e tij.

Duhet theksuar se shumë besimtarë që ndodheshin në sheshin e Shën Pjetrit, duke folur para gazetarëve shprehën dëshirën që procesi i kanonizimit të Françeskut të nisë sa më shpejt. Siç kishte ndodhur, pra pas vdekjes së Gjon Palit II, pikërisht njëzet vjet më parë.

Papa Françesku do të jetë Papa i parë në më shumë se një shekull që nuk do të varroset në Vatikan, në kriptin e Bazilikës së Shën Pjetrit, por në vend të kësaj do të vendoset të prehet në Bazilikën e Shën Marisë Major të Romës. Papa kërkoi gjithashtu që të varrosej në një arkivol të thjeshtë prej druri, ndryshe nga paraardhësit e tij që u varrosën në tre arkivole tradicionale të bëra nga selvi, plumbi dhe lisi.

Papa Françesku ndërroi jetë më 21 prill në moshën 88-vjeçare. Papa, i cili ishte peshkop i Romës dhe kreu i Kishës Katolike, u bë Papë në vitin 2013 pasi paraardhësi i tij Benedikti XVI dha dorëheqjen. 

papa françesku

Sondazh

Poll