Politike

Dështimi i seancës së djeshme për konstituimin e përbërjes së legjislaturës së re në Kosovë/ Presidenca pranon letrën nga Kuvendi: Po analizohet nga ekipi ligjor

Këshilltari për mediat i Presidencës së Kosovës, Bekim Kupina, ka thënë se letra sapo ka mbërritur në Presidencë dhe ekipi ligjor është duke e analizuar, për t’i propozuar Vjosa Osmanit hapat e mëtejmë.

16 Prill 2025, 13:37 Nga M.B
Dështimi i seancës së djeshme për konstituimin e
Vjosa Osmani

KOSOVA- Presidenca e Kosovës ka pranuar letrën nga Kuvendi pas dështimit të djeshëm të konstituimit të legjislaturë së re. Këshilltari për mediat i Presidencës së Kosovës, Bekim Kupina, ka thënë se letra sapo ka mbërritur në Presidencë dhe ekipi ligjor është duke e analizuar, për t’i propozuar Vjosa Osmanit hapat e mëtejmë.

“Letra sapo ka ardhë në Presidencë dhe ekipi ligjor i Presidencës është duke e analizuar, për t’i propozuar Presidentes hapat e mëtejmë”, tha ai.

Seanca për konstituimin e legjislaturës së nëntë, të dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit, u ndërpre pas afër 2 orësh punime të martën, pasi deputetët nuk e miratuan raportin e Komisionit të përkohshëm për verifikimin e mandateve dhe kuorumit. Rregullorja e Kuvendit të Kosovës thekson se në rast se seanca për konstituimin e legjislativit ndërpritet, ndërprerjet “nuk mund të jenë më të gjata se 48 orë”.

PDK-ja, LDK-ja dhe AAK-ja, kanë votuar kundër raportit, për shkak se, sipas tyre, anëtarët e Qeverisë në detyrë – që janë zgjedhur deputetë – nuk i kanë dorëzuar me kohë dorëheqjet e tyre nga postet ekzekutive, siç parashihet me Ligjin për Qeverinë.

Neni 26 i këtij ligji përcakton që anëtarët e ekzekutivit, të cilët janë zgjedhur deputetë, duhet të japin dorëheqje nga postet në ekzekutiv një ditë para certifikimit të tyre nga ana e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Albin Kurti, kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, e cila ka fituar zgjedhjet, më 15 prill i ka dërguar kryetarit të legjislaturës së kaluar të Kuvendit, Glauk Konjufca, një letër me njoftimin për dorëheqje, e cila sipas tij është efektive që nga 27 marsi, kur ai e ka njoftuar KQZ-në se “ekzekutivi është në detyrë/dorëheqje”.

Në rast se Lëvizja Vetëvendosje nuk arrin ta krijojë Qeverinë brenda 15 ditësh, atëherë presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, mund ta mandatojë partinë e dytë me më së shumti vota, në këtë rast PDK-në, për të siguruar bashkë me partitë tjera, 61 deputetë për të votuar formimin e Qeverisë së re.

 

kosova

Sondazh

Poll