Politike

Sulmi ndaj BKH-së në Fier, SPAK: Hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit janë sulmuar gjatë kryerjes së detyrës

SPAK bën me dije se hetuesit e BKH-së dhe efektivët e Policisë së Shtetit po kryenin detyra hetimore të deleguara për një hetim të SPAK në Fier.

16 Prill 2025, 11:52 Nga I.A
Sulmi ndaj BKH-së në Fier, SPAK: Hetuesit e Byrosë Kombëtare
SPAK

FIER- Prokuroria e Posaçme ka reaguar pas sulmit të djeshëm ndaj hetuesve të Byrosë Kombëtare të Hetimit në Fier. SPAK bën me dije se hetuesit e BKH-së dhe efektivët e Policisë së Shtetit po kryenin detyra hetimore të deleguara për një hetim të SPAK në Fier.

Sipas SPAK, ngjarja ka ndodhur rreth orës 19:20 minuta, ku ata janë sulmuar nga të afërmit të Agron Kapllanajt pa asnjë motiv. Ndërkohë që më tej theksohet se veprimet hetimore dhe proceduriale lidhur me ngjarjen janë duke u kryer nga Prokuroria e Fierit. 

Reagim i SPAK:

Byroja Kombëtare e Hetimit konfirmon sulmin që ndodhi mbrëmjen e datës 15 Prill kundër hetuesve të Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe oficerëve të Policisë së Shtetit në qarkun e Fierit. Hetuesit e BKH-së dhe efektivët e Policisë së Shtetit po kryenin detyra hetimore të deleguara, në kuadër të një hetimi të Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Mbështetur në informacionin e përcjellë nga Drejtoria Vendore e Policisë, Fier (DVP) dhe verifikimet e kryera, ngjarja ka ndodhur rreth orës 19:20 minuta, në aksin Fier – Patos. Ndërsa hetuesit e BKH-së dhe oficerët e Policisë së Shtetit po kryenin detyrën, janë sulmuar pa asnjë motiv nga persona tashmë të identifikuar dhe shoqëruar në DVP, Fier.

Të gjitha veprimet hetimore dhe proceduriale lidhur me ngjarjen janë duke u kryer nga Prokuroria e Juridiksionit të Përgjithshëm, Fier. SPAK nënvizon se të gjitha veprimet e ndërmarra nga BKH janë në përputhje me ligjin dhe nën vëzhgimin direkt të prokurorëve të posaçëm.

SPAK u bën thirrje qytetarëve të bashkëpunojnë me institucionet e drejtësisë dhe të respektojnë autoritetin e hetuesve dhe Policisë së Shtetit që veprojnë në zbatim të detyrës së tyre. Integriteti dhe siguria e hetuesve të BKH-së dhe efektivëve të Policisë së Shtetit është thelbësore në angazhimin tonë për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar.

Çfarë ndodhi mbrëmjen e kaluar?

Rreth orës 19:20, forcat operacionale dhe agjentët e BKH-së, janë goditur nga disa persona për shkak të detyrës. Këta persona janë identifikuar dhe shoqëruar mbrëmjen e shkruar në komisariatin e Fierit. Ndërkohë një reagim ka ardhur dje edhe nga vetë ish-kryebashkiaku Kapllanaj, i cili ka thënë se në parkimin e zyrave të subjektit politik që ai përfaqëson ka shkuar një mjet i pa loguar rreth orës 18:00 dhe prej andej ka ngritur një dron.

Ky veprim sipas tij është kryer dhe në një kohë të dytë dhe ka ngjallur dyshime të zyrtarëve që ishin brenda godinës. Pas debatit agjentët janë larguar me automjetin e tyre dhe janë ndjekur nga disa zyrtarë të subjektit politik dhe dy të afërm të Agron Kapllanajt. Ky i fundit ka sqaruar më tej se pak minuta më vonë në rrugë ka nisur një përplasje e dytë mes agjentëve të BKH dhe njerëzve të tij.

Ish-kryebashkiaku pretendon se në asnjë moment nuk u është thënë që janë agjentë të BKH, por se njerëzve të tij iu është nxjerrë arma dhe armë në formë kërcënimi. Ai thotë se vetëm pas këtij momenti u është thënë që kanë të bëjnë me agjentë të BKH. Në këtë moment kanë mbërritur edhe forcat e policisë dhe kanë qetësuar situatën, ku kanë bërë shoqërimin e dy nipërve të Kapllanajt dhe zyrtarit të subjektit politik. Vetë Kapllanaj pohoi mbrëmjen e shkruar se ndodhej në ambientet e policisë për të bërë kallëzim.

agron kapllanaj

Sondazh

Poll