Politike

"BE-ja mbështet integrimin e shteteve të Ballkanit Perëndimor", Marta Kos: Ky ishte mesazhi nga diskutimet me ministrat e rajonit dhe vendet anëtare

Marta Kos shprehet se zgjerimi mbetet mjeti më i mirë i bllokut për të arritur qëllimin politik dhe të sigurisë. 

14 Prill 2025, 18:00 Nga r.ll
"BE-ja mbështet integrimin e shteteve të Ballkanit
foto e postuar nga marta kos

TIRANË- Komisionerja për Zgjerimin në Bashkimin Evropian, Marta Kos shprehet se blloku prej 27 vendesh anëtare mbështet integrimin e shteteve të rajonit të Ballkanit Perëndimor.

Përmes një postimi në "X", Kos shprehet se ky ishte mesazhi i diskutimeve të sotme të Këshillit të Punëve të Jashtme me ministrat e rajonit dhe vendeve anëtare të BE-së. Më tej shprehet se zgjerimi mbetet mjeti më i mirë i bllokut për të arritur qëllimin politik dhe të sigurisë. 

"BE-ja mbështet integrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor. Ky ishte mesazhi i qartë nga diskutimet e sotme të Këshillit të Punëve të Jashtme me ministrat e rajonit dhe vendeve anëtare të BE-së. Zgjerimi mbetet mjeti ynë më i mirë për të arritur këtë qëllim politik dhe të sigurisë.", thuhet në postimin e Marta Kos. 

Ditën e sotme në Luksemburg mbahet konferenca e katërt ndërqeveritare Shqipëri-BE. I pranishëm është edhe kryeministri Edi Rama, i cili kryeson delegacionin shqiptar në këto bisedime, i përbërë nga ministra, zëvendësministra dhe drejtues të punës për kapituj përkatës.

Konferenca e sotme do të shërbejë për hapjen e negociatave me Shqipërinë për grup kapitullin 2 (Tregu i brendshëm), duke përfshirë kapitullin 1 (Lëvizja e lirë e mallrave), kapitullin 2 (Liria e lëvizjes së punonjësve), kapitulli 3 (E drejta e themelimit dhe liria për të ofruar shërbime), kapitulli 4 (Lëvizja e lirë e kapitalit), kapitulli 6 (E drejta e kompanive), kapitulli 7 (E drejta e pronësisë intelektuale), kapitulli 8 (Politika e konkurrencës) dhe kapitulli 28 (Mbrojtja e konsumatorit dhe shëndetit).

Më 15 tetor 2024 vendi ynë hapi grup-kapitullin e parë ai për çështjet “Themelore” që përfshin reformat në drejtësi, sundimin e ligjit, të drejtat themelore si dhe funksionimin e institucioneve demokratike ndërsa më 17 dhjetor 2024 janë hapur diskutimet për grup-kapitullin për marrëdhëniet e jashtme, politikën e sigurisë dhe atë të mbrojtjes.

marta kos

Sondazh

Poll