Bota

Erdogan në pritje të "mikut të vjetër"/ Trump drejt Lindjes së Mesme, "turneu i paqes" mund të përfshijë dhe Ankaranë

Presidenti amerikan planifikon një udhëtim historik në Arabinë Saudite, Katar dhe Emiratet, por burime zyrtare turke thonë se dhe Ankaraja është në listën e fshehtë të ndalesave

10 Prill 2025, 18:36 Nga A.Ll
Erdogan në pritje të "mikut të vjetër"/ Trump
Donald Trump

SHBA - Donald Trump, në një lëvizje që po cilësohet si një riformatim i madh diplomatik, pritet të bëjë muajin e ardhshëm udhëtimin e tij të parë zyrtar si President i SHBA në Lindjen e Mesme, me një itinerar që aktualisht përfshin Arabinë Saudite, Katarin dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.

Por mes deklaratave zyrtare dhe heshtjes strategjike të Shtëpisë së Bardhë, ka nisur të qarkullojë një hipotezë gjithnjë e më e zëshme: a do t’i shtohet Turqia listës së ndalesave?

“Turneu i Paqes” – një aks diplomatik me peshë
Ky udhëtim është titulluar “Tur – Lindja e Mesme”, dhe sipas Trump, synon të vendosë themelet për zgjidhjen e konflikteve në rajon dhe të nënshkruajë marrëveshje investimi me vlerë miliarda dollarë. Në një konferencë të fundit, ai u shpreh:

“Do të ndërtojmë paqe. Do të hapim rrugë të reja për bashkëpunim dhe zhvillim. Është koha për të mbyllur plagët e Lindjes së Mesme.”

Pavarësisht se Ankaraja nuk është përmendur në deklaratat zyrtare të Shtëpisë së Bardhë, burime diplomatike nga Turqia theksojnë se janë në gatishmëri për një ndalesë të mundshme të papritur të Trump.

Së fundmi, gjatë një konference për shtyp krah kryeministrit izraelit Netanyahu, Trump e lavdëroi publikisht presidentin turk Erdogan, duke e përshkruar si “shokun tim shumë të ngushtë”, çka ka ngritur spekulime të forta se një takim kokë më kokë në Ankara është më shumë se thjesht një ide.

Turqia, e cila ka marrë një rol gjithnjë e më aktiv në rajonin e Lindjes së Mesme, mund të jetë një pjesë kyçe e axhendës strategjike të Trump për të ndikuar në negociatat rajonale për energjinë, sigurinë dhe investimet.

Sipas analistëve, përfshirja e Ankarasë do të dërgonte një mesazh të fuqishëm gjeopolitik, veçanërisht ndaj Iranit dhe Rusisë, por edhe ndaj aleatëve europianë që kanë qenë më të rezervuar ndaj rikthimit të Trump në skenën ndërkombëtare.

Spekulimet shtohen ndërsa burime pranë administratës konfirmojnë se itinerari përfundimtar është ende në zhvillim dhe mund të përfshijë edhe “surpriza diplomatike”. Një zyrtar turk, në kushte anonimiteti, deklaroi:

“Ne jemi të hapur dhe të përgatitur për çdo zhvillim. Një vizitë nga Trump do të ishte një moment kyç për partneritetin turko-amerikan.”

Një ndalesë në Ankara do të përforconte imazhin e Trump si një ndërmjetës të fuqishëm rajonal dhe mund të çojë në marrëveshje të reja për sigurinë, tregtinë dhe bashkëpunimin në sektorin e energjisë.

Në të njëjtën kohë, do të shkaktonte valë reagimesh në Washington dhe në Bruksel, ku marrëdhëniet me Ankaranë janë ende të tensionuara.

donald trump shba lindjen e mesme

Sondazh

Poll