Bota

Trump godet Kinën me tarifa shkatërruese, i rrit në 145% – Kina hakmerret duke bllokuar Hollivudin

Donald Trump rrit tarifat ndaj Kinës në 145%, Kina reagon ashpër duke izoluar filmat amerikanë nga tregu i saj gjigant

10 Prill 2025, 17:55 Nga A.Ll
Trump godet Kinën me tarifa shkatërruese, i rrit në 145% –
Donald Trump

SHBA - Lufta tregtare mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Kinës ka hyrë në një fazë të re, tepër të tensionuar dhe të pashembullt. Presidenti amerikan Donald Trump, nëpërmjet një urdhri të ri ekzekutiv, ka urdhëruar rritjen drastike të tarifave doganore ndaj produkteve kineze, duke çuar normën e përgjithshme në një nivel rekord prej 145%.

Kjo masë ekstreme vjen pas një rritjeje të mëparshme nga 84% në 125%, ndërsa tani përfshihen edhe tarifa shtesë prej 20% specifikisht për importet e lidhura me substancën narkotike fentanil, një drogë e fuqishme që ka shkaktuar një krizë të thellë opioidesh në SHBA.

Sipas një zyrtari të Shtëpisë së Bardhë që foli për CNBC, ky është vetëm fillimi i një sërë masash më të gjera që synojnë "mbrojtjen e konsumatorëve amerikanë dhe sigurinë kombëtare".

Reagimi i menjëhershëm i Kinës: “Stop Hollivudit!”
Në një lëvizje që përçoi valë tronditjeje në industrinë e filmit global, Kina reagoi me hakmarrje duke vendosur kufizime të reja ndaj importit të filmave amerikanë. Administrata Kombëtare e Filmit të Kinës njoftoi se vendi do të reduktojë ndjeshëm numrin e filmave të Hollivudit që hyjnë në tregun e saj, duke vënë në pikëpyetje fatin e shumë superprodhimeve verore.

“Do të ndjekim rregullat e tregut dhe do të respektojmë preferencat e audiencës sonë,” deklaroi administrata në një njoftim zyrtar. “Filmat amerikanë nuk do të kenë më përparësi në kinematë kineze.”

Ky vendim pritet të prekë drejtpërdrejt filma si "Mission Impossible – The Final Reckoning", "Superman" dhe "Fantastic Four", të cilët ishin planifikuar për t’u shfaqur gjatë sezonit të artë të verës.

Kriza për Hollywood-in: Kina nuk është më shpëtimi i box-office

Që nga viti 1994, Kina ka importuar një mesatare prej 10 filmash të mëdhenj amerikanë çdo vit. Por kohët kanë ndryshuar. Filmat vendas po marrin përherë e më shumë audiencë, ndërsa filmat amerikanë përbëjnë tashmë vetëm 5% të të ardhurave totale të box-office-it në Kinë.

Eksperti i industrisë së filmit Chris Fenton i tha Sky News se ky ishte një "mesazh i qartë hakmarrës nga Pekini me kosto minimale për veten." Ai shtoi: “Kjo është një mënyrë e zgjuar dhe simbolike për të treguar forcën pa ndezur zjarr të panevojshëm ekonomik brenda vendit.”

Rreziku i përshkallëzimit: Ekonomia botërore në alarm

Ekspertët paralajmërojnë se përshkallëzimi i këtij konflikti tregtar midis dy fuqive më të mëdha ekonomike mund të ketë pasoja dramatike për ekonominë globale, duke rritur inflacionin, prishur zinxhirët e furnizimit dhe thelluar ndasitë gjeopolitike.

lufta tregtare kina shba

Sondazh

Poll