Bota

"Deportime me një klikim"/ SHBA propozon sistemin e Amazon për dëbimin e emigrantëve: Si dërgesat, por me njerëz

Zyrtari i lartë i emigracionit shokon me deklaratën e tij, emigrantët krahasohen me paketa në një sistemi që synon efikasitetin, jo njerëzoren

10 Prill 2025, 18:27 Nga A.Ll
"Deportime me një klikim"/ SHBA propozon sistemin e Amazon
Procesi I dëbimit të emigrantëve

SHBA - Në një deklaratë që ka tronditur organizatat e të drejtave të njeriut dhe opinionin publik ndërkombëtar, ushtruesi i detyrës së drejtorit të Emigracionit dhe Zbatimit të Doganave (ICE), Todd Lyons, ka krahasuar procesin e dëbimit të emigrantëve me shërbimin legjendar të dërgesave të Amazon Prime.

“Ne duhet të fillojmë ta trajtojmë këtë proces si një biznes. Ashtu si Prime, por me njerëzit,” tha Lyons gjatë Ekspozitës së Sigurisë Kufitare 2025 në Phoenix, Arizona – një koment që po cilësohet tashmë si një nga më çnjerëzoret dhe tronditëset në fjalorin e politikës së imigracionit në SHBA.

Sipas vizionit të Lyons, ICE duhet të operojë me efikasitetin dhe shpejtësinë e gjigantit të tregtisë elektronike Amazon, duke përdorur kamionë të dedikuar për të marrë dhe shpërndarë emigrantët e paligjshëm drejt pikave të dëbimit, në një sistem të centralizuar e të digjitalizuar, me teknologji të avancuar për gjurmim, planifikim dhe menaxhim logjistik.

Ideja është prezantuar si një “risi operacionale”, por kritikët e kanë cilësuar si një kthim në kohët më të errëta të dehumanizimit të njerëzve, ku qenia njerëzore shndërrohet në kod dërgese.

Deklarata ka shkaktuar valë reagimesh nga organizatat për të drejtat e emigrantëve, të cilat e kanë përshkruar këtë krahasim si “të neveritshëm, të rrezikshëm dhe absolutisht të papranueshëm.”

“Ky është një shembull klasik i banalizimit të dhimbjes njerëzore. Të trajtosh njerëzit si pako që thjesht duhen ‘dërguar’ është një shkelje flagrante e çdo standardi moral dhe etik,” – deklaroi një përfaqësues i ACLU.

Sipas burimeve brenda agjencisë, Lyons po përpiqet të aplikojë modele biznesi në operacionet e ICE, duke futur elemente të “efikasitetit logjistik”, automatizimit dhe menaxhimit në kohë reale të resurseve, si pjesë e një reforme të brendshme për të ulur kostot dhe kohën e dëbimeve.

Por problemi nuk qëndron vetëm te përmbajtja – por te mënyra se si ajo u artikulua, me një ton që ka nxitur akuzat për racizëm sistematik dhe trajtim jonjerëzor të emigrantëve.

procesin e dëbimit të emigrantëve amazon prime shba

Sondazh

Poll