Aktualitet

Apel diplomatik në Prishtinë/ Gjermania i kërkon Kurtit zgjidhje të menjëhershme: Qeveria e re po vonohet, rrezikohet stabiliteti

Ambasadori gjerman Jorn Rohde në një takim urgjent me Albin Kurtin i kërkon zhbllokimin e institucioneve dhe formimi i qeverisë pa vonesë

10 Prill 2025, 18:11 Nga A.Ll
Apel diplomatik në Prishtinë/ Gjermania i kërkon Kurtit zgjidhje
Albin Kurti dhe Jorn Rohde

PRISHTINA - Në një mesazh të qartë dhe të fortë diplomatik, ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, ka kërkuar nga kryeministri në detyrë Albin Kurti që të veprojë menjëherë për zgjedhjen e Kryeparlamentarit dhe formimin e Qeverisë së re. Kjo thirrje erdhi gjatë një takimi të zhvilluar në Prishtinë, ndërkohë që vendi vazhdon të përballet me bllokim institucional pas zgjedhjeve.

Përmes një postimi në rrjetin social Blue Sky, ambasadori Rohde deklaroi se theksoi rëndësinë jetike të funksionalizimit të plotë të institucioneve të reja dhe çlirimin e Kosovës nga masat aktuale ndërkombëtare.

“Faleminderit për takimin produktiv, Kryeministër! Edhe një herë theksova përpjekjet e vazhdueshme të Gjermanisë për të arritur heqjen sa më të shpejtë të masave ndaj Kosovës. Po ashtu, theksova rëndësinë e zgjedhjes së menjëhershme të kryetarit të Kuvendit dhe formimit të Qeverisë së re,” shkroi Rohde.

Zvarritja në formimin e institucioneve paszgjedhore ka ngritur shqetësime serioze tek partnerët ndërkombëtarë, veçanërisht në BE dhe SHBA. Zgjedhja e Kryetarit të Kuvendit, një hap kyç për formimin e Qeverisë së re, është ende në ngërç, ndërsa përplasjet politike të brendshme po shtyjnë çdo afat kushtetues.

Për Gjermaninë, një nga mbështetëset më të fuqishme të Kosovës në rrugën drejt integrimit evropian, kjo vonesë konsiderohet e papranueshme dhe rrezikuese për stabilitetin institucional dhe zhvillimet diplomatike në rajon.

Në sfondin e këtyre tensioneve të brendshme, ambasadori Rohde përçoi një mesazh të qartë nga Berlini: pa institucione funksionale, nuk mund të priten as hapa të tjerë për heqjen e masave, përfshirë sanksionet e BE-së.

Sipas burimeve diplomatike, Gjermania është gjithnjë e më e frustruar me mungesën e koordinimit brenda skenës politike kosovare, dhe po kërkon me ngulm që proceset institucionale të mos mbahen peng nga agjendat partiake.

Kryeministri në detyrë Albin Kurti, në anën tjetër, shfrytëzoi takimin për të uruar ambasadorin Rohde për përfundimin me sukses të koalicionit qeverisës në Gjermani, duke theksuar rëndësinë e mbështetjes gjermane në çështje kyçe për Kosovën. Megjithatë, nga ana e tij nuk pati ndonjë zotim të qartë për datën apo hapat konkretë për zgjedhjen e kryeparlamentarit.

Thanks for the productive meeting, Prime Minister! I once again emphasized Germany’s ongoing efforts to have the measures against Kosovo lifted as soon as possible. I also highlighted the importance of swiftly electing the Parliament's Speaker and forming the new government.

[image or embed]

— Ambassador Jörn Rohde (@pristina.diplo.de) 10 April 2025 at 13:54

jorn rohde albin kurti

Sondazh

Poll