Aktualitet

Shtyhet për nesër mbërritja e anijes italiane me emigrantë në Shqipëri, rreth 40 persona do të mbërrijnë me dy anijet e para

 Siç raportohet mëngjesin e sotëm autoritetet italiane paralajmëruan se dy anijet e planifikuara për sot në portin e Shëngjinit do të mbërrijnë nesër, në të njëjtat orare, rreth orës 15:00, anija e parë me 15 emigrantë në bord. Megjithatë, në mbrëmje, rreth orës 19:00, do të mbërrijë anija e dytë, me 25 emigrantë të tjerë. 

10 Prill 2025, 16:36 Nga E. D
Shtyhet për nesër mbërritja e anijes italiane me emigrantë
foto ilustruese

ITALI- Transferimi i emigrantëve nga Italia në qendrën e Gjadrit në Shqipëri, është shtyrë me të paktën 24 orë. Siç raportohet mëngjesin e sotëm autoritetet italiane paralajmëruan se dy anijet e planifikuara për sot në portin e Shëngjinit do të mbërrijnë nesër, në të njëjtat orare, rreth orës 15:00, anija e parë me 15 emigrantë në bord. Ndërsa në mbrëmje, rreth orës 19:00, do të mbërrijë anija e dytë, me 25 emigrantë të tjerë. Në total, rreth 40 emigrantë do të mbërrijnë nesër, kjo e barabartë me kapacitetin aktual të kontejnerëve të ngritur brenda kampit të Gjadrit.

Emigrantët e ardhur në janar 2025 ishin grupi i tretë dhe më i madh që ka ardhur në qendrën e pritjes në Shëngjin. Në dy rastet e mëparshme, tetorin dhe nëntorin e kaluar, gjyqtarët nuk kishin vërtetuar ndalimin e azilkërkuesve të sjellë në objektet shqiptare. Qeveria italiane u ndalua disa herë nga gjykatat për të sjellë emigrantë në Shëngjin dhe Gjadër. Shkak i ndalimit dhe kthimit të emigrantëve ishin listat e vendeve të origjinës së azilkërkuesve, ku qeveria italiane pretendonte se nuk duhet të ketë një listë të unifikuar për të gjitha shtetet e BE.

Në vitin 2023, kryeministrja italiane Giorgia Meloni dhe kryeministri shqiptar Edi Rama arritën një marrëveshje për ndërtimin e këtyre qendrave, me qëllim që Italia të menaxhojë fluksin e emigrantëve jashtë territorit të saj, duke shfrytëzuar Shqipërinë si një qendër pritjeje. Kjo marrëveshje ngjalli kritika të shumta nga organizatat ndërkombëtare të të drejtave të njeriut, të cilat e shohin këtë projekt si një përpjekje për të zhvendosur problemin e emigrantëve në vende më të dobëta në aspektin ligjor dhe ekonomik.

Më 30 dhjetor 2024, Gjykata e Kasacionit në Itali i dha të drejtë Giorgia Melonit dhe kabinetit të saj të cilët pretendojnë se secili shtet duhet të ketë një listë të personalizuar të vendeve të sigurta dhe të pasigurta. Ndër të tjera, për pjesën e listës së vendeve të sigurta, Gjykata e Kasacionit tha se gjyqtarët e çështjeve të secilit rast nuk zëvendësojnë vlerësimin, i cili në përgjithësi është përgjegjësi vetëm e Ministrit të Jashtëm dhe Ministrave të tjerë.

Marrëveshja për emigrantët është kritikuar nga opozita italiane se është e shtrenjtë, me një kosto rreth 800 milionë euro gjatë pesë viteve, dhe sipas tyre trajton vetëm një pikë në oqeanin e emigrantëve që arrijnë në Itali çdo vit. Nga ana tjetër Komisioni Evropian dhe disa liderë evropianë kanë shprehur interesin që ai të bëhet një model i mundshëm për menaxhimin e emigrantëve jashtë territorit të BE-së.

itali shqiperi emigrante

Sondazh

Poll