Aktualitet

Rasti "Qyno" në GJK, avokati në seancë: Gazetari po ankohet se po i cënohet konfidencialiteti i burimeve nga veprimet e sekuestrimit pa kriter

Gjatë fjalës së tij avokati u shpreh se kjo çështje prek dhe shkel disa të drejta, ku ndër to është edhe liria e gazetarit.

10 Prill 2025, 14:17 Nga r.ll
Rasti "Qyno" në GJK, avokati në seancë: Gazetari po
pamje nga seanca

TIRANË- Në Gjykatën Kushtetuese u zhvillua seanca gjyqësore për ankimimin e gazetarit Elton Qyno  për sekuestrimin e pajisjeve elektronike. Dorian Matlia, avokati i gazetarit u shpreh në seancë se Qyno po ankohet për shkak se po i cënohet konfidencialiteti i burimeve nga veprimet e sekuestrimit pa kriter nga ana e Prokurorisë së Posaçme. Gjatë fjalës së tij avokati u shpreh se kjo çështje prek dhe shkel disa të drejta, ku ndër to është edhe liria e gazetarit.

"Çështja prek disa të drejta, si liria e gazetarit. Nuk po ankohet Elton Qyno se po i ndalohet të bëjë shkrimë. Po ankohet se po i cenohet konfidencialiteti i burimeve nga veprimet të sekuestrimit pa kriter të materialeve digjitale. Ka tre mundësi si Elton Qyno mund të ketë marrë metariale nga dosja hetimore e SPAK. Mund të ketë hyrë natën në ndërtesë dhe ti ketë marrë. Mund të ketë hyrë përmes hakërimit dhe të ketë marrë dokument elektronik ose mund ti ketë marrë nga diskush që punon aty brenda me dosjen. Dy të para nuk janë ngritur si pretendime nga SPAK. I vetmi opsion ngelet që dikush brenda ka nxjerrë informacionin. Është e pamundur që në 24 orë, SPAK të ketë bërë verifikimet ndaj tre prokurorëve para se të bëjë sekuestrimet. Kjo nuk ka ndodhur as në 15 muajt në vazhdim.", u shpreh avokati.

Qyno ka paditur në Kushtetuese vendimet e Gjykatës së Posaçme për sekuestrimin e pajisjeve elektronike në pronësi të tij, kontrollin në shtëpi dhe kontrollin personal pas një hetimi të nisur nga SPAK për nxjerrje të sekretit hetimor. Në padi, Qyno kërkon shfuqizimin e vendimmarrjeve që sollën këto vendime, duke i cilësuar ato në shkelje të lirive dhe të drejtave të njeriut. 

Gazetari Elton Qyno u mor në pyetje në dhjetor 2023 për rrjedhjen në media të materialeve nga një dosje hetimore për një sërë krimesh të rënda, ndërsa pas një kontrolli në shtëpinë e tij, Prokuroria sekuestroi celularët dhe mjetet elektronike. Qyno e ka kundërshtuar vendimmarrjen si shkelje e të drejtave të tij si gazetar.

Në nëntor të vitit të kaluar, Gjykata e Posaçme vendosi masën e detyrimit për paraqitje për Qynon për veprën e korrupsionit pasiv në sektorin privat, mbi bazën e një procedimi të regjistruar nga Prokuroria e Posaçme për organizatën kriminale të drejtuar nga Suel Çela. Në janar, Gjykata e Posaçme e Apelit e rrëzoi masën e sigurisë së vendosur nga shkalla e parë.

dorian matlia

Sondazh

Poll