Politike

Prokuroria e Përgjithshme takim me OSBE-në, Çela: Synojmë transmetim të shpejtë të informacionit dhe vlerësim në kohë reale ndaj çdo shkeljeje të krimit zgjedhor

Çela u shpreh se të gjitha institucionet e linjës, prokurorët e posaçëm, policia gjyqësore kanë kapacitet e duhura për të arritur rezultate në parandalimin dhe marrjen e masave për krimet zgjedhore.

10 Prill 2025, 11:01 Nga N.F
Prokuroria e Përgjithshme takim me OSBE-në, Çela: Synojmë
Çela

TIRANË- OSBE dhe Prokuroria e Përgjithshme kanë organizuar ditën e sotme një tryezë teknike për forcimin e rolit të prokurorëve në luftën kundër krimeve zgjedhore. Në këtë takim ishte i pranishëm edhe prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela. Gjatë fjalës së tij Çela u shpreh se të gjitha institucionet e linjës, prokurorët e posaçëm, policia gjyqësore kanë kapacitet e duhura për të arritur rezultate në parandalimin dhe marrjen e masave për krimet zgjedhore.

Ai vuri në dukje një sërë masash që janë marrë me synim rritjen e eficiencës për bashkëpunimin mes institucioneve në këtë aspekt. Çela tha se falë bashkëpunimit me partnerët është arritur në një fazë të rëndësishme që lidhet me përgatitjen e institucionit të Prokurorisë në drejtim të procesit zgjedhor. Prokurori i Përgjithshëm vlerësoi angazhimin e shoqërisë civile në bashkëpunimin me institucionet në luftën kundër krimeve zgjedhore.

“E rëndësishme sjellja në një tryezë e shoqërisë civile, që ka spikatur me rolin e saj në fushën zgjedhore dhe krimin zgjedhor dhe të atyre që janë në terren si prokurorët dhe oficerët e policisë gjyqësore. Në këtë kontekst shkëmbimi i eksperiencave, diskutimi për prioritetet në hetimin e krimeve zgjedhore, por dhe njohja e prokurorëve dhe oficerëve të policisë gjyqësore me fenomenet për parregullsitë që vihen re gjatë procesit zgjedhor.

Vlerësimin e tyre në një pjesë të rasteve si shkelje të ligjit që përbën vepër penale, do të jetë risi jo vetëm në ndërgjegjësimin e prokurorëve dhe oficerëve të policisë për atë që ndodh gjatë procesit zgjedhor por do t’i bëjë ata edhe më të ndjeshëm për të kuptuar rëndësinë e rolit tonë gjatë këtij procesi. Ajo që ne synojmë është transmetimi i shpejtë i informacionit, vlerësimi në kohë reale ndaj çdo sinjalizimi për çdo shkelje që bëjnë vepër penale”, shtoi ai.

osbe cela prokuroria e pergjithshme

Sondazh

Poll