Politike

Kush duhet të votojë nga burgu? PD ngre alarmin për Veliajn, PS kërkon rregullim të procedurës

3036 të burgosur pritet të votojnë më 11 maj – KQZ ende pa një vendim të qartë për përkatësinë zgjedhore të tyre

8 Prill 2025, 19:15 Nga A.Ll

Kush duhet të votojë nga burgu? PD ngre alarmin për Veliajn, PS

TIRANË - Debati mbi të drejtën e votës për të burgosurit ka nisur sërish në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, teksa zgjedhjet e 11 majit po afrojnë, dhe 3.036 persona ndodhen aktualisht në qeli me të drejtë vote.

Partia Demokratike kërkon që të mos lejohet votimi i të burgosurve që nuk janë banorë të qarkut ku ndodhet burgu, duke sjellë si shembull rastin e Erion Veliajt, i cili ndodhet në paraburgim në Durrës.

PD: “Veliaj figuron në listën e Durrësit – kjo s’duhet lejuar”

Përfaqësuesi i PD-së, Franc Nuri, kërkoi zyrtarisht që Veliaj të përjashtohet nga lista e votuesve të qarkut Durrës, duke cituar vendimin e Kolegjit Zgjedhor për zgjedhjet e Rrogozhinës në 2023.

“Vetëm banorët e një zone zgjedhore kanë të drejtë vote në atë zonë, jo ata që thjesht qëndrojnë përkohësisht aty”, u shpreh Nuri.

PS: “Akt rregullator i nevojshëm – procedurë standarde”

Nga ana tjetër, përfaqësuesja e PS-së, Elena Xhina, kërkoi që të miratohet një akt rregullator për të standardizuar praktikën, duke theksuar se një pjesë e madhe e të burgosurve nuk janë zhvendosur me dëshirë, por për arsye procedurale apo sigurie.

KQZ: “S’kemi tagër për vendim përfundimtar”
Kreu i KQZ-së, Ilirjan Celibashi, u shpreh se komisioni nuk ka juridiksion për të përcaktuar se ku duhet të votojnë të burgosurit, por do ta adresojë çështjen tek institucionet përkatëse.

“Na duhet një zgjidhje e qartë për këtë. Kemi një precedent nga Rrogozhina që nuk mund ta injorojmë”, u shpreh Celibashi.

Rasti “Rrogozhina” ndezi alarmet
Rasti i zgjedhjeve të Rrogozhinës në vitin 2023 është kthyer në referencë ligjore për këtë debat. Kolegji Zgjedhor zbuloi se një numër i madh votuesish nga burgu, që s’kishin asnjë lidhje me bashkinë, ndikuan rezultatin zgjedhor, çka çoi në përsëritjen e zgjedhjeve dhe në një vendim të qartë: të drejtën e votës në një zonë e kanë vetëm banorët e asaj zone, jo vendqëndruesit.

1.357 të burgosur nuk do të votojnë – Ligji për dekriminalizimin i përjashton

Ndërkohë, 1357 të burgosur janë të përjashtuar nga e drejta për të votuar, për shkak të dënimeve për vepra të rënda penale, sipas ligjit të dekriminalizimit.

zgjedhjet e 11 majit pd ps kqz

Sondazh

Poll