Aktualitet

Zbulohet motivi i vrasjes në Itali/ Konflikti për pronën në Shqipëri çoi në ekzekutimin e Vladimir Topjanës, detajet e reja

Përplasja nisi me fjalë, përfundoi me një plumb në kokë – Babë e bir pas hekurave për vrasje me paramendim

8 Prill 2025, 19:05 Nga A.Ll
Zbulohet motivi i vrasjes në Itali/ Konflikti për pronën në
Vladimir Topjana

ITALI - Një përleshje mes shqiptarëve në Itali përfundoi në mënyrë tragjike, me humbjen e jetës së 43-vjeçarit Vladimir Topjana në qytetin Fontanafredda, provinca e Pordenones, mbrëmjen e së dielës më 6 prill.

Ngjarja ndodhi rreth orës 21:00, pranë një lokali në Via Buonarroti, ku Topjana mbeti i vrarë nga një plumb në kokë, pas një konflikti fizik me bashkëkombasin Roger Shota, autorin e dyshuar të krimit.

Sipas hetimeve paraprake, gjithçka nisi si një sherr verbal për një pronë në Shqipëri, që më pas u përshkallëzua në dhunë. Fillimisht debati ndodhi në një lokal në Sacile, por më pas dy burrat u përballën sërish në Fontanafredda.

Gjatë konfliktit fizik, Topjana ka kafshuar veshin e Shotës, duke provokuar një reagim të menjëhershëm dhe fatal: Shota nxori armën dhe e qëlloi në kokë.

Në vendngjarje ndodhej edhe babai i Roger Shotës, i cili u arrestua gjithashtu. Të dy ndodhen tani në paraburgim – biri në burgun e Pordenones, ndërsa i ati në burgun e Trevisos – me akuzën e vrasjes së rëndë me paramendim dhe përdorim të armës së zjarrit.

Autoritetet italiane njoftuan se arma e përdorur u gjet në vendngjarje, ndërsa hetuesit po analizojnë çdo detaj për të rindërtuar me saktësi dinamikën e ngjarjes. Rezultati i autopsisë pritet të ketë rol të rëndësishëm në përcaktimin e përgjegjësisë penale të babait.

Policia italiane ka ndërhyrë menjëherë për mbledhjen e provave, ndërsa hetimet janë në vijim. Dyshohet se konflikti për tokë kishte një histori të gjatë mosmarrëveshjeje mes familjeve.

vladimir topjana fontanafredda pordenone roger shota

Sondazh

Poll