Sport

Nations League/ Kombëtarja e vajzave fiton edhe në transfertë ndaj Kroacisë…

Shqipëria triumfoi me përmbysje 2-1 në “Sport Centre Rudes”, në sfidën e vlefshme për grupin B4 të UEFA Nations League.

8 Prill 2025, 18:36 Nga DOSJA
Nations League/ Kombëtarja e vajzave fiton edhe në transfertë

KROACI - Kombëtarja shqiptare e vajzave ka arritur një tjetër fitore të madhe, duke mposhtur për herë të dytë radhazi Kroacinë, këtë herë në transfertë.

Shqipëria triumfoi me përmbysje 2-1 në “Sport Centre Rudes”, në sfidën e vlefshme për grupin B4 të UEFA Nations League.

Fortesa Berisha barazoi rezultatin në minutën e 32-të, ndërsa goli i fitores erdhi në minutën e 71-të, si pasojë e një autogoli nga Balog, pas një aksioni të shkëlqyer të Berishës.

Kroacia kaloi e para në avantazh pas golit të Ivana Slipčević në minutën e 11-të. Megjithatë, Shqipëria reagoi mirë dhe gjeti golin e barazimit në minutën e 32-të me një realizim të bukur nga Fortesa Berisha. Pjesa e parë u mbyll në barazim 1-1.

Fraksioni i dytë nisi me Shqipërinë më kërkuese. Vajzat kuqezi u shfaqën disa herë rrezikshëm në sulm me Fortesa Berishën dhe Valentina Trokën.

Në minutën e 71-të, pas një aksioni nga krahu, Berisha pasoi në zonë dhe Balog në përpjekje për të larguar topin, e devijoi në portën e saj, duke i dhënë Shqipërisë avantazhin dhe fitoren.

Trajneri Armir Grima e nisi ndeshjen me këtë formacion titullar: Antigona Hyska (GK), Klea Hamonikaj, Alma Hila, Arbiona Bajraktari, Armela Tukaj, Ilarja Zarka, Ezmiralda Franja, Fortesa Berisha, Megi Doçi (C), Valentina Troka, Qendresa Krasniqi.

Ky është një tjetër sukses historik për Kombëtaren shqiptare të vajzave, që me këtë fitore renditet në vendin e tretë në Grupin B4 të UEFA Nations League, me 6 pikë. Dy ndeshjet e fundit të Shqipërisë në këtë grup do të jenë ndaj Ukrainës në transfertë dhe ndaj Çekisë në shtëpi.

B.T (Dosja.al)

Sondazh

Poll