Bota

“Turqia do të qëndrojë gjithmonë me Palestinën”/ Erdogan sfidon Izraelin: Nuk përkulemi para tiranëve

Presidenti turk lëshon akuza të rënda ndaj qeverisë Netanyahu, duke dënuar ashpër sulmet në Gaza dhe Siri

8 Prill 2025, 18:24 Nga A.Ll
“Turqia do të qëndrojë gjithmonë me
Presidenti i Turqisë, Rexhep Tajip Erdogan

TURQI - Presidenti i Turqisë, Rexhep Tajip Erdogan, ka shpërthyer me tone të ashpra kundër Izraelit në një fjalim të mbajtur të martën në parlamentin turk, duke i cilësuar veprimet e qeverisë izraelite si “gjenocid” dhe duke paralajmëruar se Turqia nuk do të përkulet kurrë para tiranisë.

Duke folur para Grupit Parlamentar të Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim (AKP), Erdogan lëshoi një sulm frontal diplomatik, duke e bërë të qartë se mbështetja e Turqisë për palestinezët nuk do të zbehet, pavarësisht presioneve ndërkombëtare.

“Ne qëndrojmë të fortë kundër lobit global sionist. Ne nuk do të i dorëzohemi tiranëve,” tha ai me tone të theksuara sfiduese.

Akuzat për gjenocid dhe krime lufte
Presidenti turk akuzoi qeverinë izraelite të Benjamin Netanyahu-t për krime të rënda lufte dhe për shkelje flagrante të dinjitetit njerëzor, duke denoncuar gjakderdhjen në Rripin e Gazës, si dhe agresionet e përsëritura në territorin sirian.

“Dhunën që po shohim në Gaza nuk mund ta përkufizojmë ndryshe përveçse si grabitje dhe gjenocid. Nuk ka justifikim për ekzekutimet, për sulmet ndaj ambulancave, për shënjestrimin e punonjësve të shpëtimit,” u shpreh Erdogan.

Deklarata e tij vjen në të njëjtën ditë kur autoritetet palestineze publikuan një video që, sipas tyre, dokumenton ekzekutimin e 15 ndihmësve në Rafah nga forcat izraelite, duke shtuar më tej ndjeshmërinë e situatës.

Siria dhe vizioni rajonal i Turqisë
Erdogan theksoi gjithashtu se Turqia kundërshton çdo përpjekje për ndryshim kufijsh apo për ekspansionizëm rajonal, duke denoncuar sulmet ajrore izraelite në Siri si pjesë të një strategjie destabilizuese në rajon.

“Ekspansionizmi dhe hartat e reja nuk i shërbejnë paqes. Ne kërkojmë stabilitet për Gazën, Sirinë dhe Libanin,” deklaroi ai, duke rritur profilin e Turqisë si një aktor aktiv diplomatik në Lindjen e Mesme.
Mbështetje e palëkundur për Palestinën

Erdogan përfundoi fjalimin me një premtim të qartë: Ankaraja nuk do t'ua kthejë kurrë shpinën palestinezëve, pavarësisht kostove apo presioneve ndërkombëtare.

“Ndërsa Izraeli vazhdon të shkelë të drejtat njerëzore në mënyrë të hapur, Turqia nuk do të qëndrojë indiferente. Ne do të jemi gjithmonë në anën e drejtësisë dhe të popullit palestinez,” theksoi ai.

Këto deklarata vijnë në një kontekst gjithnjë e më të tensionuar, ku raportet midis Ankarasë dhe Tel Avivit janë përkeqësuar ndjeshëm dhe ku fjalimet e forta publike shihen si paralajmërime serioze për përshkallëzime të mëtejshme diplomatike ose ekonomike.

presidenti i turqisë rexhep tajip erdogan izrael palestina

Sondazh

Poll