Bota

Gjermania kërkon trajnim për mbrojtje civile në shkolla, teksa BE u thotë qytetarëve të përgatisin komplete mbijetese për 72 orë

Frika nga lufta dhe rreziku në rritje e detyrojnë Europën të zgjohet, nxënësit do të mësojnë si të mbijetojnë në skenarë lufte, qytetarët të grumbullojnë rezerva

7 Prill 2025, 22:09 Nga A.Ll

Gjermania kërkon trajnim për mbrojtje civile në shkolla, teksa BE

GJERMANIA - Gjermania ka hyrë në një kapitull të ri të përgatitjes për skenarë të jashtëzakonshëm, teksa Ministria e Brendshme u ka bërë thirrje shkollave që të nisin trajnime për mbrojtje civile. Ky veprim vjen mes frikës së rritjes së tensioneve në Evropë dhe paralajmërimeve të zymta për një mundësi reale të Luftës së Tretë Botërore.

Në një deklaratë të konfirmuar për median gjermane Handelsblatt, autoritetet po kërkojnë që nxënësit të edukohen për të përballuar situata emergjente dhe konflikte të mundshme. “Mbrojtjes civile duhet t’i kushtohet më shumë vëmendje, përfshirë edhe në shkolla,” tha një zëdhënës i ministrisë.

Deputeti gjerman Roderich Kiesewetter e konsideroi këtë hap “absolutisht të nevojshëm”, duke theksuar se të rinjtë janë ndër më të cenueshmit në raste fatkeqësie. Ai propozoi trajnime bazë të detyrueshme për të gjithë nxënësit, të modeluara sipas përvojës finlandeze – një vend që ka përgatitur qytetarët për skenarë lufte prej vitesh.

Ndërkohë, në nivel europian, Bashkimi Evropian po kërkon nga të gjithë qytetarët të përgatisin komplete mbijetese 72-orëshe, të cilat përfshijnë ushqime, ujë, dokumente të rëndësishme, drita portative dhe materiale të tjera thelbësore. Kjo është pjesë e një strategjie për rritjen e qëndrueshmërisë civile përballë kërcënimeve gjithnjë e më serioze.

Ekspertët e sigurisë kanë paralajmëruar se Gjermania është në gjendje shumë më të dobët se vendet nordike, për shkak të strukturave të mbrojtjes civile që janë të nënfinancuara dhe të çorganizuar. Sipas analizave të fundit, vendi do të duhet të investojë të paktën 30 miliardë euro për të modernizuar sistemin e mbrojtjes civile.

Paralajmërimet e zyrtarëve të lartë gjermanë nuk lënë shumë vend për optimizëm. Inspektori i përgjithshëm i ushtrisë gjermane, Carsten Breuer, ka deklaruar se Rusia mund të jetë në gjendje të sulmojë një territor të NATO-s brenda katër deri në shtatë viteve të ardhshme.

Frika për sabotime dhe sulme hibride nuk ndalet në kufijtë e Gjermanisë. Në Mbretërinë e Bashkuar, ekspertët po i këshillojnë qytetarët të bëjnë gati gjithashtu paketa të mbijetesës, pas dyshimeve për komplot rus ndaj tubacioneve të energjisë që furnizojnë vendin.

Zgjimi europian përballë rreziqeve globale duket më i fortë se kurrë. Dhe ndërsa liderët politikë kërkojnë përgjigje, qytetarëve u mbetet detyra të përgatiten për më të keqen.

gjermania luftës së tretë botërore

Sondazh

Poll