Sport

Bylis bën detyrën në “Adush Muça”, fiton ndaj Vllaznisë dhe merr 3 pikë të çmuara

Bylis - Vllaznia 1-0, shënon braziliani Da Silva. Shkodranët mbesin me lojtarë, Bajrami ndëshkohet me karton të kuq

6 Prill 2025, 20:35 Nga DOSJA
Bylis bën detyrën në “Adush Muça”, fiton ndaj

BALLSH - Në javën e 33-të të “Abissnet Superiores” skuadra e Bylisit jep shenja mbijetese, teksa gjen golin e Da Silvas në fillimin e pjesës së dytë për të mundur në “Adush Muça”, Vllazninë. 36 pikë për Bylisin, që tashmë është shkëputur nga fundi i ftohtë i renditjes dhe rendit në vendin shtatë.

Një pjesë e parë që e sheh Bylisin më me tepër iniciativë, ndërsa në minutën e 8-të i afrohet golit. Por Berko nuk ka shënjestrën e duhur. Ka dhe momente të ashpra në lojë, ndërsa në minutën e 18-të, Vllaznia pretendon për faull pas ndërhyrjes së Abazajt në dëm të Salës. Minuta e 23-të shënon daljen e Bajramit me karton të kuq.

Edhe pse faulli ishte për shkodranët, arbitri Yzeiraj e ka ndëshkuar Bajramin për atë reagim, që nuk i shkon për shtat skuadrës kuqeblu. Në të njëjtin moment është ndëshkuar dhe Berko me karton të verdhë. Edhe pse me një lojtar më pak, Vllaznia këmbëngul, ndërsa Mala ka tentuar nga goditja e dënimit, teksa topi është ndalur në murin mbrojtës të ballshiotëve.

Ndërkohë ballshiotët shkaktojnë faull në zonën shkodrane, kurse për miqtë vjen dhe goditja e dënimit e fituar nga Gruda, që e nxjerr përpara skuadrës e Brdariç. Bylis e mbyll pjesën e parë në sulm, ndërsa Peralta ka humbur një shans të artë.

Mirëpo pjesa e dytë nis ndryshe për Bylisin, që në minutën e 47-të e sheh veten në avantazh me golin e Da Silvas. Sërisht momente tensioni, kjo në të 67’, ndërsa Peralta shkakton faull ndaj Qatos. Protesta nga stoli i Vllaznisë, të cilët kanë kërkuar ndëshkimin maksimal për lojtarin ballshiot.

Vllaznia kërkon barazimin, kurse në të 74-tën, Batista ka pritur gjuajtjen e Deliut. Shkodranët krijojnë një tjetër rast shënimi pas nëntë minutash, por gjithçka është frenuar nga pozicioni jashtë loje i futbollistëve kuqeblu.

Tjetër moment i mirë për Vllazninë, kjo në fundin e ndeshjes, e përsëri Batista ndal Delajn dhe në vërshëllimën e fundit të Yzeirajt ballshiotët janë ata që festojnë.

B.T (Dosja.al)

Sondazh

Poll