Bota

Trump publikon VIDEO të sulmit amerikan në Jemen: Houthi nuk do të fundosin më kurrë anijet tona!

Imazhet bardh e zi, të marra nga lart, me sa duket nga një dron ushtarak, tregojnë dhjetëra njerëz në një rreth përpara se të binte një bombë.

5 Prill 2025, 08:39 Nga r.ll
Trump publikon VIDEO të sulmit amerikan në Jemen: Houthi nuk do
donald trump

SHBA- Presidenti i SHBA-së, Donald Trump publikoi një video ditën e djeshme në Truth, ku thotë se tregon dhjetëra luftëtarë të lëvizjes Houthi teksa vriten në një bombardim amerikan në Jemen.

Imazhet bardh e zi, të marra nga lart, me sa duket nga një dron ushtarak, tregojnë dhjetëra njerëz në një rreth përpara se të binte një bombë.

Kamera kap shpërthimin, tymin e dendur, më pas pamjet e zonës së prekur, ku nuk ka mbetur asgjë, ndërsa në një distancë të shkurtër shihen vetëm disa automjete.

“Këta Houthi u mblodhën për të marrë urdhra për një sulm. Oops, nuk do të ketë asnjë sulm nga ata Houthi! Ata nuk do të fundosin më kurrë anijet tona!", shkroi Donald Trump sipër videos.

Zyrtarët dhe mediat në pronësi të Houthi-ve raportuan vdekje të shumta në dhjetëra sulme këtë javë për të cilat fajësuan SHBA-në.  Të hënën, Trump u zotua të vazhdojë të godasë Houthis derisa grupi terrorist jemenas të ndalojë sulmet e anijeve tregtare në Detin e Kuq. Houthis pretendojnë se 67 njerëz janë vrarë që nga 15 marsi, kur SHBA filloi fushatën e sulmeve ajrore.

Të martën, zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë Caroline Levitt përshëndeti më shumë se "200 sulme të suksesshme" kundër rebelëve të Jemenit, pasi tensionet janë rritur ndjeshëm që nga mesi i marsit midis Uashingtonit dhe lëvizjes, që besohet se mbështetet nga Irani. Uashingtoni gjithashtu njoftoi në fillim të javës se do të dërgojë një aeroplanmbajtëse të dytë në Lindjen e Mesme.

Houthi-t filluan të synonin anijet tregtare në Detin e Kuq me raketa dhe drone rreth një muaj pasi shpërtheu lufta në Rripin e Gazës në tetor 2023, duke bllokuar hyrjen në Kanalin e Suezit, përmes të cilit kalonte rreth 12 për qind e tregtisë detare botërore që nga viti i kaluar. Ata thonë se kanë në shënjestër anijet e lidhura me Izraelin në solidaritet me palestinezët.

Duke komentuar videon në mediat sociale të sulmit ndaj luftëtarëve Houthi, siç pretendon presidenti amerikan, disa përdorues thanë se Trump ka goditur civilët që janë mësuar të mblidhen kur bëhet fjalë për festime ose për të mirëpritur një fis tjetër jemenas.

jemen rebelet houthi donald trump

Sondazh

Poll