Bota

Vendim politik/ Kryeministri belg thotë se Netanyahu nuk do të arrestohet në Belgjikë, pavarësisht urdhër-arrestit ndërkombëtar

Deklaratat e Bart de Vever shpërthejnë zemërimin në radhët e opozitës dhe organizatave për të drejtat e njeriut, duke çuar në kërkesa të menjëhershme për një komision urgjent në parlament. A do të dështojë Belgjika në detyrimin e saj për të respektuar ligjin ndërkombëtar?

4 Prill 2025, 21:31 Nga A.Ll
Vendim politik/ Kryeministri belg thotë se Netanyahu nuk do të
Kryeministri belg Bart de Vever

BELGJIKA - Kryeministri belg Bart de Vever shkaktoi një reagim të ashpër sot kur tha se, në emër të "politikës pragmatike", homologu i tij izraelit Benjamin Netanyahu nuk do të arrestohej nëse do të ndodhej në tokën belge, pavarësisht një urdhër-arresti të lëshuar kundër tij nga Gjykata Penale Ndërkombëtare.

"Unë nuk mendoj se ka një vend të vetëm evropian ku Netanyahu do të arrestohej nëse do të ishte në tokën e tij. Franca, për shembull, nuk do ta bënte. Unë nuk mendoj se do ta bënim," tha politikani konservator, flamand.

Bart De Vever u pyet të enjten nga transmetuesi publik flamand VRT në lidhje me qëndrimin e mbajtur nga Hungaria e Viktor Orban, e cila e ka mirëpritur Netanyahun ndërkohë që një urdhër arresti është në pritje kundër tij për krime kundër njerëzimit dhe krime lufte në Rripin e Gazës. Në të njëjtën kohë, Hungaria filloi procesin e tërheqjes nga GJNP.

Kryeministri belg u përgjigj se beson në multilateralizëm dhe një botë të bazuar në rregulla të përbashkëta. “Unë e preferoj këtë botë dhe nëse prishet, do të jem i trishtuar”, shtoi ai.

I pyetur se si do të reagonte nëse avioni me Netanyahu do të bënte një ulje emergjente në Belgjikë, Bart de Vever fillimisht e përshkroi skenarin si "shumë të pamundur". Por më pas ai thirri parimin e "politikës realiste", duke thënë se dyshonte se do të bëhej një arrestim.

“Nuk e dyshoj aspak”, i është përgjigjur sot në një postim në Platformën X, presidenti i Partisë Socialiste frankofone, Paul Maniet, një nga liderët e opozitës. “Kur lëshohet një urdhër arresti ndërkombëtar, kur shprehet drejtësia ndërkombëtare, Belgjika duhet të deklarohet “e pranishme”, pa hezitim”, shtoi ai, duke folur për një “detyrim ligjor dhe moral”.

Nga ana e saj, organizata joqeveritare për mbrojtjen e të drejtave të njeriut CNCD 11.11.11, i cilësoi deklaratat e Bart De Wever si "të papranueshme". “Duke sinjalizuar se kryeministri izraelit mund të udhëtojë i papenguar në Belgjikë (De Vever) dobëson ligjin ndërkombëtar”, i cili “nuk është menu a la carte”, komentoi ai.

Duke thënë se ndjehej "i turpëruar", bashkë-presidenti i partisë Ecolo, Samuel Kogolati sulmoi ministrin e jashtëm, centristin frëngjishtfolës Maxime Prevo: "A është ky shteti juaj ligjor?" pyeti ai.

Ngërçi pritet të vazhdojë javën e ardhshme në parlament, ku me kërkesë të opozitës do të mblidhet në mënyrë urgjente Komisioni i Marrëdhënieve me Jashtë.

 

kryeministri belg bart de vever benjamin netanyahu

Sondazh

Poll