Bota

Trump nxjerr "Gold Card"/ Shtetësi amerikane për 5 milionë dollarë, një mundësi “luksi” për të pasurit

Projekti i ri i Presidentit amerikan ofron mundësinë e shtetësisë për ata që investojnë 5 milionë dollarë – një alternativë më e shtrenjtë dhe më e shpejtë sesa Green Card-i tradicional

4 Prill 2025, 20:45 Nga A.Ll
Trump nxjerr "Gold Card"/ Shtetësi amerikane për 5
Donald Trump me "Gold Card"

SHBA - Donald Trump ka prezantuar zyrtarisht projektin e tij të shumëpërfolur të “Gold Card”, një kartë që, me një investim prej 5 milionë dollarësh, do të mundësojë marrjen e rezidencës të përhershme në SHBA dhe afron individët për marrjen e shtetësisë amerikane. Ky është një version i përmirësuar dhe shumë më i shtrenjtë i Green Card-it tradicional, i cili shmang procedurat e gjata dhe të komplikuara të emigrimit.

Trump e paraqiti këtë kartë në bordin e Air Force One, duke e shoqëruar me një dizajn të artë, ku figuron fytyra e tij, firma dhe mbishkrimi “The Trump Card”. Ai e vlerësoi këtë kartë si një mundësi për ata që dëshirojnë të bëhen pjesë e SHBA-ve, duke thënë se pritet të shitet në masa të mëdha, përfshirë për oligarkët rusë, të cilët i përshkroi si “shumë të sjellshëm”.

Një alternativë për skemën EB-5
Gold Card do të zëvendësojë programin ekzistues EB-5, i cili ofron Green Card për investitorët që investojnë të paktën 800 mijë deri 1 milion dollarë në projekte që krijojnë vende pune në SHBA. Megjithatë, ndryshe nga EB-5, Gold Card nuk kërkon angazhim të drejtpërdrejtë në ekonomi, por vetëm një pagesë të menjëhershme. Për më tepër, ajo ofron një avantazh të madh për poseduesit, pasi përjashton ata nga taksat mbi të ardhurat e fituara jashtë SHBA.

Trump e ka paraqitur këtë nismë si një mënyrë për tërheqjen e kapitalit të huaj në SHBA, duke e promovuar si një mundësi për të fuqizuar ekonominë amerikane. Sidoqoftë, kritikët kanë shprehur shqetësime, duke e cilësuar këtë nismë si një tjetër shembull të përdorimit të shtetësisë amerikane si një mall luksi për shitje, i cili është më i aksesueshëm për ata që kanë para, sesa për ata që kërkojnë një mundësi të barabartë.

“gold card” donald trump

Sondazh

Poll