Politike

Mbledhja e Këshillit Bashkiak të Tiranës, miratohen disa vendime, mes tyre rijetëzimi i Pallatit të Lojërave me Dorë “Asllan Rusi”

Gjatë fjalës së saj, kryetarja e deleguar e bashkisë, Anuela Ristani tha se për të tretin vit radhazi propozohet mbështetja e detyrimeve për programet DS4, DS5 nga buxheti i bashkisë, ndërsa shtoi se është propozuar rritja e fondeve në buxhetin e vitit 2025 për abonentë e studentëve dhe për ato të pensionistëve.

3 Prill 2025, 20:42 Nga r.ll
Mbledhja e Këshillit Bashkiak të Tiranës, miratohen disa vendime,
mbledhja e keshillit bashkiak

TIRANË- Ditën e sotme Këshilli Bashkiak Tiranë ka zhvilluar mbledhjen e radhësh. Në mbledhje janë marrë disa vendime, ku një ndër ta, është edhe rijetëzimi i Pallatit të Lojërave me Dorë “Asllan Rusi”.

Mes vendimeve që Këshilli Bashkiak ka miratuara ishin ai për “Për miratimin e tavaneve përgatitore të programit buxhetor afatmesëm për periudhën 2026-2028”; “Për miratimin e familjeve aplikuese që përfitojnë nga programi i bllok-ndihmës ekonomike deri në 6 përqind, nga fondi i kushtëzuar dhe nga buxheti i Bashkisë Tiranë, për periudhën 1-28 shkurt, 2025”;  “Për miratimin e familjeve aplikuese që përfitojnë nga programi i bllok-ndihmës ekonomike deri në 6 përqind, nga fondi i kushtëzuar dhe nga buxheti i Bashkisë Tiranë, për periudhën 1-31 janar, 2025"; si dhe “Për dhënien e pëlqimit për autorizimin e Korporates së Investimeve Shqiptare për vijimin e procedurave me qëllim realizimin e projektit të investimit “Rijetëzimi i Pallatit të Lojrave me Dorë “Asllan Rusi”, Tiranë".

Po ashtu është miratuar dhe projektvendimi “Për disa shtesa dhe ndryshime në vendimin nr. 131, datë 18.12.2024, të Këshillit Bashkiak “Për miratimin e Programit Buxhetor Afatmesëm 2025-2027 dhe detajimin e Buxhetit të Bashkisë së Tiranës për vitin 2025”.

Gjatë fjalës së saj, kryetarja e deleguar e bashkisë, Anuela Ristani tha se për të tretin vit radhazi propozohet mbështetja e detyrimeve për programet DS4, DS5 nga buxheti i bashkisë, ndërsa shtoi se është propozuar rritja e fondeve në buxhetin e vitit 2025 për abonentë e studentëve dhe për ato të pensionistëve.

“Për muajin shkurt 2025 njësitë administrative kanë përzgjedhur 277 familje, nga të cilat 173 do të trajtohen nga fondi i buxhetit vendor dhe 104 familje të financuara nga fondi i kushtëzuar i ministrisë. Për muajin janar 2025 njësitë administrative kanë përzgjedhur 272 familje, nga këto 169 do të trajtohen nga fondi i buxhetit vendor dhe 103 familje nga fondi i kushtëzuar i ministrisë. Familjet përfituese janë kryesisht familje me probleme ekonomike, familje me probleme sociale, me më shumë se 4 anëtarë ose 1 anëtar të vetëm, familje rome apo egjiptiane me kryefamiljar me fëmijë në ngarkim.

Për të tretin vit radhazi, Bashkia e Tiranës propozon mbështetjen e detyrimeve për programet DS4, DS5 nga buxheti i Bashkisë Tiranë dhe për rezyme deri tani nga fondet e veta, Bashkia Tiranë ka akorduar për DS-të e ndryshme një vlerë 1.159.299.655 lekë për vitet 2023-2024 dhe buxhetuar në vitin 2025 184.547.577 lekë. Prej 1 janarit 2025 Bashkia Tiranë nis subvencionin 100% të biletës së abonesë për pensionistët siç edhe është njoftuar, siç bën edhe prej vitesh subvencionimin e abonesë për studentët. Është propozuar rritja e fondeve për të dyja llojet e aboneve në buxhetin 2025.

Është propozuar dhe përfshirja e projektit, mbështetje për vajzat dhe gratë, viktima të dhunës me bazë gjinore dhe dhunës në familje me paketë ushqimore. Kjo është një mbështetje e rëndësishme për integrimin e viktimave të dhunës për sa i përket jo vetëm aspektit social ekonomik, por edhe fuqizimit të kryefamiljareve të dhunuara. Parashikohet që përfituesit të jenë 200 gra dhe vajza viktima të dhunës që do të përfitojnë çdo 3 muaj një paketë ushqimore me vlerë prej 3 mijë lekësh.

Është propozuar dhe përfshirja e një tjetër projekti, riintegrimi dhe mbështetje për familjet vulnerabël, një qasje e qëndrushme. Një projekt që synon të përmirësojë dhe riintegrojë socialisht dhe ekonomikisht familjet vulnerabël duke adresuar shkaqet e situatës së tyre. Prioritet do t’u jepet personave që janë përfitues të ndihmës ekonomike dhe që janë evidentuar si persona në situatë rruge”, – tha ajo gjatë prezantimit të projektvendimeve.

keshilli bashkiak 3 prill 2025

Sondazh

Poll