Bota

Goditja e Trump ndaj Evropës/ Tarifat e reja që do trondisin industrinë automobilistike dhe farmaceutike

Presidenti amerikan "synon" Gjermaninë dhe kompanitë farmaceutike evropiane me tarifat e reja

2 Prill 2025, 18:21 Nga A.Ll
Goditja e Trump ndaj Evropës/ Tarifat e reja që do trondisin
Donald Trump

SHBA - Donald Trump ka shpallur planet për vendosjen e tarifave të reja ndaj Bashkimit Evropian, duke vënë në shënjestër veçanërisht industrinë e automobilave dhe atë farmaceutike. Ky vendim pritet të trondisë ekonominë evropiane dhe të përshkallëzojë tensionet tregtare midis dy superfuqive ekonomike.

Në vitin 2024, BE eksportoi mallra në SHBA me vlerë 382 miliardë euro, por tarifat e reja të Trump mund ta reduktojnë këtë shumë me rreth 85 miliardë euro. Gjermania është një nga vendet më të ekspozuara ndaj këtij vendimi, pasi eksporton një pjesë të madhe të automjeteve dhe pjesëve të këmbimit në SHBA përmes porteve të Hamburgut dhe Bremerhavenit. Markat kryesore si Mercedes-Benz, BMW dhe Volkswagen do të preken rëndë nga ky zhvillim.

Përveç industrisë së makinave, tarifat e reja do të godasin edhe industrinë farmaceutike evropiane. Vetëm në vitin 2023, eksportet farmaceutike drejt SHBA përbënin 15% të xhiros së përgjithshme të kësaj industrie në BE. Irlanda dhe Danimarka janë ndër vendet më të prekura, veçanërisht kompania daneze Novo Nordisk, e cila eksporton rreth dy të tretat e produkteve të saj për humbje peshe në SHBA.

Ekspertët paralajmërojnë se ky vendim mund të sjellë një përshkallëzim të luftës tregtare midis SHBA dhe BE. Banka Qendrore Evropiane tashmë po shqyrton mundësinë e uljes së normave të interesit për të balancuar ndikimin e këtyre tarifave dhe për të parandaluar një krizë të mundshme ekonomike.

donald trump tarifat usa

Sondazh

Poll