Politike

Berisha: Martirët e 2 Prillit janë frymëzim i madh për çdo qytetar të sakrifikojë për lirinë dhe votën e tij

Kryedemokrati e cilësoi 2 Prillin si një moment kyç në luftën kundër diktaturës dhe rikujtoi se sakrifica e tyre pati jehonë të madhe ndërkombëtare.

2 Prill 2025, 11:41 Nga E. D
Berisha: Martirët e 2 Prillit janë frymëzim i madh për
Sali Berisha

SHKODËR- Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, mori pjesë në ceremoninë përkujtimore të katër martirëve të vrarë më 2 Prill 1991 në Shkodër. Lideri i opozitës gjatë fjalës së tij theksoi se martirët e 2 Prillit mbeten një burim frymëzimi për çdo qytetar që beson tek liria dhe e drejta e votës.

Berisha gjithashtu në fjalën e tij nderoi Arben Brocin, Bujar Bishanakun, Nazmi Kryeziun dhe Besnik Cekën, si dhe dhjetëra qytetarë të plagosur në atë ngjarje tragjike. Ndër të tjera Kryedemokrati e cilësoi 2 Prillin si një moment kyç në luftën kundër diktaturës dhe rikujtoi se sakrifica e tyre pati jehonë të madhe ndërkombëtare.

"Të dashur prindër dhe familjarë të martirëve të votës së lirë, Arben Brocit, Bujar Bishanakut, Nazmi Kryeziut dhe Besnik Cekës. Të dashur qytetarë dhe qytetare të Shkodrës, i dashur zoti Luçiano Boçi, nënkryetar i PD dhe drejtues politik i këtij qarku. Zonja Eliona Shkreli, kryetare e PD. Të nderuar deputetë dhe kandidatët për deputetë të PD të qarkut të Shkodrës. Sot jemi këtu për të shprehur nderimin tonë më të thellë, mirënjohjen më të pakufishme për martirët e votës së lirë. Heronjtë e vërtetë të Shkodrës dhe të mbarë Shqipërisë.

Arben Brocin, themelues i pluralizmit dhe PD-së. Bujanar Bishanakun, aktivist i shquar. Nazmi Kryeziun, aktivist i shquar i PD dhe Besnik Cekën, aktivist i shquar i kësaj partie. Por ne nderojmë gjithashtu edhe 87 qytetarë të Shkodrës, që u plagosën në atë ditë masakre, të cilën Shkodra nuk e kishte regjistruar ndonjëherë në kohërat e reja në memorien e saj. Më 2 prill të vitit 1991, diktatori i fundit stalinist në Europë, Ramiz Alia, i cili kishte pranuar zgjedhjet pluraliste, vendosi të festojë fitoren e grabitur në Shqipëri të zgjedhjeve me gjakun e të rinjve të Shkodrës nën motivin se pushteti do gjak, se pushteti vjen nga gjaku.

Gjakësorë siç ishin, ata i dëshmuan Shkodrës dhe Shqipërisë se si pushtues të brendshëm, nuk dallonin aspak nga pushtuesit e tjerë. Madje kishin pabesinë dhe mizorinë në shpirtin e tyre, nuk ngurruan të lajnë me gjak këtë qytet të bekuar. Të dashur miq, sakrifica sublime e martirëve të votës së lirë, të dhjetëra e dhjetëra qytetarëve të Shkodrës që u plagosën atë ditë, pati jehonë të jashtëzakonshme ndërkombëtare.

Zgjoi revoltën, dënimin e ashpër të mbarë opinionit demokratik evropian, të Parlamentit Europian, Këshillit të Europës, Kongresit të SHBA. Me të vërtetë martirët e votësë lirë u ndanë atë ditë nga jeta, por mbetën të pavdekshëm në shpirtin e lirisë, në votën e lirë. Ndaj dhe ata janë sot burim drite, burim frymëzimi për çdo qytetar që i beson lirisë dhe votës së saj. Martirët e 2 Prillit janë frymëzim i madh për çdo qytetar të sakrifikojë për lirinë dhe votën e saj," tha Berisha. 

sali berisha

Sondazh

Poll