Bota

Kina nis stërvitje ushtarake rreth Tajvanit, quan presidentin “parazit”

Stërvitjet përreth ishullit të qeverisur në mënyrë demokratike, të cilin Kina e sheh si territorin e saj, vijnë pasi muajin e kaluar Lai e quajti Pekinin një fuqi e huaj armiqësore.

1 Prill 2025, 08:23 Nga E. D
Kina nis stërvitje ushtarake rreth Tajvanit, quan presidentin
foto ilustruese

KINA- Kina filloi të martën stërvitje të përbashkëta të ushtrisë, marinës dhe forcave raketore rreth Tajvanit si një paralajmërim i ashpër kundër separatizmit dhe e quajti presidentin tajvanez, Lai Ching-te, një parazit. Ndërkohë, Tajvani dërgoi anijet e veta luftarake për t’iu përgjigjur marinës kineze që iu afrua brigjeve.

Stërvitjet përreth ishullit të qeverisur në mënyrë demokratike, të cilin Kina e sheh si territorin e saj, vijnë pasi muajin e kaluar Lai e quajti Pekinin një fuqi e huaj armiqësore. Kina e konsideron Lain si një separatist dhe, në një video që shoqëronte njoftimin për stërvitjet, ai u paraqit si një insekt i mbajtur nga një palë shkopinj të ngrënies mbi një Tajvan në flakë, duke e quajtur atë në anglisht një parazit.

“Fokusi është në ushtrime si patrullat e gatishmërisë luftarake në det dhe në ajër, marrja e kontrollit të gjithanshëm, goditja e objektivave detare dhe tokësorë, si dhe vendosja e kontrolleve bllokuese në zona dhe rrugë kyçe”, tha Komanda e Teatrit Lindor në një deklaratë.

Qeveria e Tajvanit i dënoi stërvitjet, me zyrën presidenciale që tha se Kina ishte e njohur gjerësisht nga komuniteti ndërkombëtar si një burim problemesh dhe se qeveria ka besimin dhe aftësinë për t’u mbrojtur vetë.

Qeveria tajvaneze i hodhi poshtë pretendimet e Pekinit për sovranitet, duke thënë se vetëm populli i ishullit mund të vendosë për të ardhmen e tij. Dy zyrtarë të lartë të Tajvanit i thanë Reuters se më shumë se dhjetë anije ushtarake kineze iu afruan zonës së afërt të Tajvanit dhe se Tajvani dërgoi anijet e veta luftarake për të reaguar.

Ministria e Mbrojtjes e Tajvanit tha në një deklaratë se grupi i aeroplanmbajtëses kineze Shandong kishte hyrë në zonën e reagimit të ishullit të hënën, duke shtuar se kishte dërguar avionë dhe anije ushtarake dhe kishte aktivizuar sistemet raketore tokësore për t’iu përgjigjur.

Stërvitjet u zhvilluan pasi sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, u largua nga rajoni pas vizitave në Japoni dhe Filipine, ku kritikoi Kinën dhe tha se Japonia ishte “e pazëvendësueshme” për përballimin e agresionit kinez.

Një zyrtar i lartë i sigurisë në Tajvan i tha Reutersit, duke cituar vlerësime të brendshme, se Pekini kishte nevojë të shmangte çdo përplasje të perceptuar me Uashingtonin përpara bisedimeve tregtare SHBA-Kinë, dhe për këtë arsye Tajvani ishte bërë një pretekst.

“Tajvani është justifikimi më i mirë për ta. Prandaj ata zgjodhën të nisin këto stërvitje ushtarake sapo sekretari amerikan i mbrojtjes u largua nga Azia”, tha zyrtari.

Ambasada de facto e SHBA-së, Instituti Amerikan në Tajvan, tha se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të mbështesin ishullin.

“Edhe një herë, Kina ka treguar se nuk është një aktor i përgjegjshëm dhe nuk ka problem të vërë në rrezik sigurinë dhe prosperitetin e rajonit”, tha një zëdhënës./REL

kine tajvan

Sondazh

Poll