Dalin pamjet satelitore tronditëse nga tërmeti 7.7 ballë që shkatërroi lagje të tëra në Myanmar, ndërsa operacionet e kërkim-shpëtimit vazhdojnë
Imazhet para dhe pas tërmeti tregojnë shkallën e shkatërrimit nga lëkundjet fatale
30 Mars 2025, 18:49Nga A.Ll
Pamje satelitore nga Myanmar
MYANMAR - Pamje satelitore tronditëse kanë zbuluar përmasat e jashtëzakonshme të shkatërrimit të shkaktuar nga tërmeti i fuqishëm 7.7 ballë që goditi Myanmarin të premten.
Imazhet tregojnë ndërtesa të shembura, ura të dëmtuara dhe rrugë të çara në të gjithë Myanmarin qendror, me epiqendër pranë qytetit të dytë më të madh të vendit, Mandalay.
Operacionet e kërkim-shpëtimit vazhdojnë me intensitet të lartë, duke hyrë në ditën e tretë të përpjekjeve për të gjetur të mbijetuarit nën rrënoja.
Sipas autoriteteve, numri i viktimave vazhdon të rritet, me të paktën 1,600 të vdekur, mbi 3,400 të plagosur dhe 139 të zhdukur. Ekipet vendase dhe ndërkombëtare po përballen me sfida të mëdha, ndërsa çdo orë është vendimtare për të shpëtuar jetë.
Tërmeti ndodhi në orët e pasdites së premtes, duke shkaktuar shkatërrimin më të madh në historinë moderne të rajonit. Veçanërisht në Mandalay, shumë lagje janë rrafshuar plotësisht, duke lënë mijëra njerëz të pastrehë.
Pamjet satelitore para dhe pas tërmetit ofrojnë një pasqyrë të dhimbshme të dëmeve katastrofike dhe vështirësive të rindërtimit që do të pasojnë këtë tragjedi.