Bota

Putin zemëron Trump/ Presidenti amerikan paralajmëron tarifa të rënda ndaj Rusisë, nëse nuk arrihet armëpushim në Ukrainë

Presidenti amerikan kërcënon me tarifa deri në 50% për naftën ruse, duke e lidhur vendimin me përpjekjet për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë

30 Mars 2025, 18:31 Nga A.Ll
Putin zemëron Trump/ Presidenti amerikan paralajmëron tarifa të
Donald Trump dhe Vladimir Putin

SHBA - Presidenti amerikan, Donald Trump, ka paralajmëruar masa të ashpra ekonomike kundër Rusisë, duke deklaruar se do të vendosë tarifa sekondare prej 25 deri në 50% për të gjithë naftën ruse. Sipas tij, këto masa mund të hyjnë në fuqi brenda një muaji nëse Moska nuk kontribuon në ndalimin e luftës në Ukrainë.

Në një intervistë për NBC News, Trump u shpreh i zemëruar dhe i shqetësuar nga deklaratat e fundit të presidentit rus, Vladimir Putin, i cili vuri në dyshim besueshmërinë e udhëheqjes së presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky.

Trump tha se këtë javë do të zhvillojë një bisedë telefonike me Putinin për të diskutuar situatën në Ukrainë. Gjatë fushatës së tij presidenciale, ai ka premtuar disa herë se do të përfundojë atë që e quan “luftë të turpshme” dhe e ka bërë këtë një nga prioritetet kryesore të administratës së tij që nga marrja e detyrës më 20 janar.

Sipas burimeve, Trump ka propozuar zgjedhje të reja në Ukrainë dhe ka kritikuar Zelenskyn, duke e quajtur atë një diktator në një moment. Nga ana tjetër, Putin ka sugjeruar që Ukraina të vendoset nën një administratë të përkohshme për të mundësuar zgjedhje dhe për të nënshkruar marrëveshje kyçe.

“Nëse Rusia dhe unë nuk arrijmë një marrëveshje për të ndaluar masakrat në Ukrainë, dhe nëse unë e shoh se kjo është faji i Rusisë, do të vendos tarifa sekondare për naftën,” tha Trump, duke paralajmëruar një goditje të rëndë për ekonominë ruse. Ai sqaroi se këto tarifa do të ndalojnë çdo kompani që blen naftë nga Rusia të bëjë biznes në Shtetet e Bashkuara.

Me tensionet mes Uashingtonit dhe Moskës në rritje, mbetet për t’u parë se si do të ndikojnë këto kërcënime në diplomacinë ndërkombëtare dhe në përpjekjet për të gjetur një zgjidhje për konfliktin në Ukrainë.

donald trump vladimir putin rusia shba ukraina

Sondazh

Poll